Princi Harry dhe Meghan Markle pritet të rikthehen në Mbretërinë e Bashkuar në fund të këtij muaji, së bashku me dy fëmijët e tyre, Archie dhe Lilibet. Lajmi është raportuar nga mediat britanike dhe është konfirmuar nga burime të cituara nga Sky News.

Familja do të vendoset për një periudhë të zgjatur në një rezidencë private, jo-mbretërore, në periferi të Londrës. Fëmijët, Archie 7 vjeç dhe Lilibet 5 vjeç, pritet të fillojnë një shkollë britanike në shtator

Harry dhe Meghan u larguan nga Britania në vitin 2020, pasi hoqën dorë nga detyrat si anëtarë aktivë të familjes mbretërore dhe u zhvendosën në Shtetet e Bashkuara. Çifti fillimisht u vendos në Kaliforni me djalin e tyre Archie, ndërsa vajza e tyre Lilibet lindi në SHBA.

Sipas Sky News, Mbreti Charles III është informuar për planet e çiftit të dielën dhe e ka mirëpritur mundësinë për të kaluar më shumë kohë me djalin dhe nipërit e tij në një kuadër privat dhe familjar.

Megjithatë, rikthimi në Britani nuk nënkupton rikthimin e Harry dhe Meghan në detyrat zyrtare mbretërore. Ata do të vazhdojnë të kenë statusin e anëtarëve joaktivë të Familjes Mbretërore.

Lëvizja shënon një kapitull të ri për çiftin, gjashtë vjet pas largimit nga jeta zyrtare mbretërore dhe vendosjes së tyre në Kaliforni.