Hashash që 10 vjeç/ Alarmi i mjekëve: Adoleshentët po eksperimentojnë me drogat

Më shumë se tullumbacet me azot, që mbetet një fenomen i izoluar, shqetësues sipas mjekëve toksikologë të QSUT-së është përdorimi në masë i kanabisit nga adoleshentët.

Radhët e përdoruesve të rinj të kanabisit po shtohen, ndërkohë që problem është edhe ulja e moshës së atyre që e konsumojnë. Sot kemi edhe përdorues minorenë.

E them me bindje të plotë që kanabisi është droga më e përdorur mes adoleshentëve. Çdo vit që po kalon kemi një rënie të moshës minimale të fillimit të përdorimit të kësaj droge. Është një lloj emergjence, që duhet ta kenë parasysh të gjitha institucionet, prindërit në radhë të parë, për të kontrolluar fëmijët e tyre.

Kemi dëgjuar raste nga pacientë që referojnë 10 vjeç si moshën minimale kur ata kanë filluar përdorimin e kanabisit, por sigurisht duhet të kuptoni që mes moshave 10–16 vjeç, pacientët nuk vijnë absolutisht të kërkojnë asistencë mjekësore. Kjo është ndoshta prej frikës që kanë nga familjarët, prindërit,” thotë Esmeralda Thoma, toksikologe në QSUT.

Mjekët pohojnë se tendenca e një adoleshenti të sprovuar me kanabis është eksperimentimi I përzierjeve të lëndëve narkotike qoftë edhe me medikamente mjekësore.

Kam parë një lloj dëshire për të eksperimentuar me droga të reja. Në shumë raste bëjnë përzierje edhe me medikamente që shiten në farmaci. Shohim që ka adoleshentë, të cilët përziejnë kodeinën, e cila është një lloj medikamenti në vetvete, që jepet me recetë nga mjeku për disa probleme shëndetësore, por adoleshentët e marrin për të bërë eksperimente të ndryshme. Në vetvete kodeina është një lloj droge, e cila futet në grupin e opiateve, pra praktikisht është e ngjashme nga ana strukturore dhe e efekteve klinike që jep me heroinën, atë që njeh shumica e popullit,” shpjegon toksikologia Thoma.

Fenomeni I tregtimit pa recetën e mjekut të medikamenteve të tilla e rëndon edhe më shumë gjendjen, ndërsa adoleshentët nuk janë të vetëdijshëm për pasojat.

Share With:
Translate »
61 Views