Historia e rrallë, 10-vjeçari “helmohet” pasi piu gjashtë shishe ujë në një orë
Një djalë 10-vjeçar nga Karolina e Jugut, SHBA, i cili u “helmua” pasi kishte pirë një sasi të madhe uji në një kohë të shkurtër, ka përfunduar në spital për mjekim .
Sipas prindërve të tij, aventura për 10-vjeçarin Ray Jordan filloi teksa ai ishte duke luajtur me miqtë në fundjavë.
“Ai po vraponte jashtë me kushërinjtë e tij dhe ata po luanin. Ata vrapuan rreth shtëpisë, u hodhën në trampolinë. Në një moment Ray hyri në shtëpi për të pirë ujë. Ajo që ne nuk e dinim në atë kohë ishte se sa ujë pinte”, tha nëna e tij për një stacion televiziv lokal.
Siç doli, brenda një ore – nga ora 20:30 e natës deri në orën 21:30 – 10-vjeçari piu gjashtë shishe ujë . “Në orën 22:30 Ray nuk mund të kontrollonte kokën, duart, asgjë. Dukej sikur i ishin “mbytur” aftësitë motorike. Ai dukej sikur kishte droguar apo kishte pirë alkool”, tha babai i tij.
Pasi e çuan fëmijën në spital, mjekët zbuluan se Ray i vogël kishte pësuar “helmim nga uji”, pasi nivelet e natriumit në gjak ishin shumë të ulëta, shenjë se i ishin dëmtuar veshkat.
“Ajo që ata bënë ishte që i dhanë ilaçe diuretike për të hequr sa më shumë lëngje që i bënin presion në tru dhe për këtë na thanë se kishte dhimbje koke”, tha nëna e 10-vjeçaris.
Pas 8 orësh terapi me natrium dhe kalium për të rregulluar gjakun e 10-vjeçarit, Ray “u zgjua papritur, duke kërkuar ushqim dhe duke na pyetur: “Ku jam? Çfarë ndodhi?” shtoi ajo.
Fatmirësisht, Ray i vogël tani është shëruar plotësisht pa asnjë problem nga aventura e tij shëndetësore.