Humbi prindërit, Altin Goci: Sikur t’u flisja edhe një herë!
Altin Goci vjen shumë shpejt me koncertin e radhës, koncert për të cilin foli me Ermal Peçin në “E diela jonë”.
Përveç hiteve të tij, Goci tregoi se do të këndojë edhe këngë të reja. Gjatë bisedës u treguan disa detaje rreth rrugëtimit të tij, siç ishte grupi “Ritfolk”.
Mund ta themi sot përse u larguat vërtet nga grupi?
“Në ’97 nuk kemi qenë bashkë, sepse patëm një mosmarrëveshje banale ‘jo pse ti kështu, pse unë ashtu’, por sot ruajmë marrëdhënie shumë të mira.”
Goci rrëfeu edhe lidhjen e ngushtë me dy vajzat e tij, si dhe mungesën e vazhdueshme që ndjen për prindërit.
“Më shqetësojnë kronikat e zeza dhe brezi i sotëm në rritjen e fëmijëve të mi. Ndonjëherë kultura dhe edukata në këtë vend merret për dobësi. Jam një prind i përkushtuar dhe them që fëmijët duhen shijuar në çdo moment. Unë qaj shpesh. Jam bërë shumë i prekshëm që pas ikjes së prindërve. I kujtoj kur jam shumë shumë i mërzitur dhe kur jam shumë shumë i lumtur. Kur jam i mërzitur, them: Si nuk i kam afër të qaj një hall. Kur kam gëzim them: S’i kam afër t’i gëzoj e të lumturohen.”