Humbi shikimin në moshën 2-vjeçare, Veko u bë nënë me “in vitro”: Xhana, përgjigjja e lutjes sime!

Veko ia ka dalë që mes gjithë sfidës së të jetuarit pa shikim, të përçajë në Tiranën e madhe, të zhurmshme, të shkollohet, të punojë duke drejtuar programe radiofonike dhe të bëhet nënë.

Historia e saj në “Ka Një Mesazh  Për Ty” është shumë frymëzuese sepse ajo tregon që pavarësisht humbjes së shikimit rreth moshës 2-vjeçare, ia ka arritur edhe të jetojë vetëm, të gatuajë duke kuptuar nxehtësinë e sobës apo ujin që zien, të kujdeset për të bijën.

Xhana është 2 vjeçe dhe është përgjigjja e lutjes së saj, e realizuar falë mjekësisë. Por një pyetje nga moderatori i së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan e zë paksa në befasi.

Veko: Unë e përkëdhel, i ndiej aromën, flas e qesh me të, e laj, e ndërroj. Kur shohin foton e mamasë sime, thonë që Xhana i ka ngjarë shumë sepse unë i kam ngjarë shumë mamasë sime.

Ardit Gjebrea: Xhana babin e vet?

Veko: Në fakt…ishte pyetje bombë kjo!

Ardit Gjebrea: Pse?

Veko: Nganjëherë gjërat nuk ecin ashtu siç duam ne. Domethënë, unë arrita deri diku që t’i bëja rrethanat për vete, por një burrë nuk arrita ta bëja për vete. Kalova një marrëdhënie goxha të gjatë, 8-vjeçare, por dashuria ndonjëherë është e papritur, është e çuditshme siç e dinë të gjithë. Marrëdhënia jonë u ndërpre. Atëherë vendosa, iu luta Zotit sikur ta kisha edhe unë një fëmijë. Ia besova mjekësisë. Xhana është me “in vitro”.

Ardit Gjebrea: Dhe me atë historinë 8-vjeçare s’ka më lidhje tani?

Veko: Jo, jo.

Ardit Gjebrea: Mbaroi, aq ishte.

Veko: Ka mbaruar.

Ardit Gjebrea: Ndonjë histori e re në horizont?

Veko: Jo, nuk e mendoj ta ndaj Xhanën me dikë tjetër, s’e mendoj dot.

Ardit Gjebrea: E nëse vjen?

Veko: Kur s’erdhi… s’ka për të ardhur.

Ardit Gjebrea: Kurrë mos thuaj kurrë.

Veko: Këtu themi kurrë.

Share With:
Translate »
135 Views