Hyri në pubertet në moshë 3-vjeçare, vogëlushi i nënshtrohet operacionit në tru
Një fëmijë trevjeçar nga India i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjike në tru, për t’u shëruar nga puberteti i hershëm, me ç’rast i ishin rritur shumë shpejtë organet seksuale, i është trashur zëri, ndërsa në fytyrë i janë paraqitur akne.
Fëmija kishte vetëm 18 muaj kur prindërit vërejtën ndryshimet fizike që zakonisht nuk fillojnë të shfaqen së paku para moshës 10 vjeçare. Veç kësaj, ai ka filluar të shfaqë edhe sjellje agresive.
Mjekët kanë zbuluar se hormonet e vogëlushit ishin shumë aktivë dhe se vuante nga puberteti i hershëm, çrregullim që haset shumë rrallë.
Puberteti i hershëm ndodh si pasojë e prodhimit anormal të hormonit estrogjen, shpeshherë si pasojë e dëmtimit të trurit apo ndonjë çrregullimi cerebral. Është shumë më i shpeshtë te femrat. (P.sh. Femra e cila është bërë nënë në moshë më të re është Lina Medina nga Peru, e cila në vitin 1939 ka lindur fëmijë –ndërsa mosha e saj ishte vetëm pesë vjet e shtatë muaj).
Pasi zbuluan se kishte ind anormal në hipotalam (pjesë e trurit që rregullon hormonet), mjekët e kanë operuar për ta larguar atë, pasi që terapia anti-hormonale nuk kishe rezultuar e suksesshme.
“Nëse zbulohet me kohë, puberteti i hershëm mund të mjekohet në tërësi me anë të mjekimit adekuat medikamentoz dhe kirurgjik”, ka deklaruar njëri nga mjekët që janë marrë me këtë rast.