I dashur Babagjysh, dua mamin!

Nga Manjola Markola

Ka pak vite që kam ardhur në jetë, ndoshta më pak sesa ti mendon, aq sa për të mos më njohur fare. Kur hapa sytë dhe pashë botën për herë të parë, nuk e dija çfarë më priste, ama qava, qava shumë, derisa mami më mori në kraharorin e saj. Aty heshta dhe ndjeva aromën më të mirë në botë.

Kaluan orë, ditë dhe muaj, Babagjysh unë mësova edhe të flas, thashë madje disa fjalë, edhe fjalën më të bukur në botë e mësova shpejt dhe në çdo cep thoshta vetëm atë, “mami”. Çdo mbrëmje krahët e saj më mbështillnin dhe gjumi më zinte në ngrohtësinë e zemrës së mamit. Kur hapja sytë, ishin dy duar aty, në mes të errësirës, ose në plotësinë e diellit që më guduliste në ballë, bark e në në gushë. Ah Babagjysh, atëherë isha kaq i qetë. Në djepin që mami më përkundte vrapoja pa përtuar, pa folur, pa qarë, në duart e saj prehesha, herë-herë edhe në prehrin e saj.
Por, një ditë, unë u zgjova vetëm, pa dy duar që më preknin fytyrën, pa zemrën që më ngrohte sa herë më afrohej. Babagjysh, unë një ditë u zgjova pa mamin.

Asnjë zë, as dritë, as një përqafim të fundit, ajo iku. Në 1 milion përqafimet e tjera, unë kërkoj atë, në fjalë, në ëndrra, në djepin që hodha tutje kërkoj të mos harroj 4 shkronja “M A M I”. E kam të vështirë, se ajo nuk është në cepin e murit ku e kërkoja, as në nënshkallën e shtëpisë, ajo nuk është as pranë rrobave të mia duke ndjerë aromën e tyre. Nuk është Babagjysh, as në shtrat kur tanimë duar të tjera më prekin. Unë kërkoj atë, në cepat ku tani shkoj edhe me këmbët e mia, se dora e saj nuk më kap sa herë bie, rrëzohem për të ndjerë se ajo më ngre dhe më përqafon me orë të tëra në krevatin e madh ku flinim të dy. Babagjysh, a ma sjell mamin? Pa e mësuar ende emrin e saj, ajo iku, më thonë se në qiell, e kur ngre sytë drejt tij, ajo nuk është. Babagjysh, unë e kam një dëshirë, më sill mamin, të më përqafojë, të ndjej edhe një herë aromë nëne./

Share With:
Translate »
212 Views