I lutet babait të kthehet, Zamira bën rrëfimin më të bukur tek ‘E diela shqiptare’
E ftuar sot në rubrikën “Ka një mesazh për ty” ishte Zamira, banuese në Tiranë, nënë e dy fëmijëve. Zamira kishte ftuar të atin i cilika sakrifikuar shumë për të, por prej 20 vitesh ai jeton në Itali. Zamira kërkon që t’i ketë prindërit pranë e të mos jetojë me frikën se mund t’u ketë ndodhur gjë.
“Babush, unë nuk jam këtu të të them sa mirë që të kam pranë momentalisht apo përkohësisht. Unë e di shumë që ti nuk pranon që pas kaq shumë vitesh të kthehesh dhe të qëndrosh me ne, të qëndrosh me mua, me djemtë e mi, në Tiranën tënde që ti e ke dashur shumë, që të dha dhe i dhe shumë, por edhe në vendin tënd. Unë e di që ti nuk ndihesh i huaj atje, por sigurisht nuk mund të jesh i huaj as këtu. Unë e kam të vështirë që në këto momente të flas gjatë, sepse më mund malli për ju. Do doja shumë që përkujdesjen që ke pasur e ke për mua, ta kaloje tashmë tek nipërit e tu. Sot, në mundësinë që m’u krijua nga Zoti Gjebrea, apo dhe nga Televizioni Klan, do të dëshiroja që të më jepje një përgjigje pozitive. Sigurisht unë e di që nuk do të mund të vendosësh tani, ti nuk je nga ato natyra që vendos përnjëherë, por të lutem më jep shpresën e afërt që do të bindesh për t’u kthyer”, u shpreh Zamira.
Ardit Gjebrea e cilësoi këtë rrëfim si një prej më të bukurit që është bërë tek “E diela shqiptare”.
“Unë kam qenë dhe vazhdoj të jem i lidhur me Zamirën dhe këtë kërkesë publike, do mundohem brenda mundësive më të mundshme… nuk kam idenë që të qëndroj në Itali, jo se s’më pëlqen atje, por prap si dheu ku jam lindur e rritur nuk ka. Me mundësinë më të parë, për t’u realizuar ajo pengesë që kemi, unë jam i ardhur, u shpreh Z.Alush.
Burimi: tvklan.al