I përgatit vogëlushes 18 dhurata për çdo ditëlindje para se të vdesë nga kanceri

Elisa Girotto u nda nga jeta në moshën 40-vjeçare në Treviso të Italisë, për shkak të një tumori shumë të rrallë agresiv. Por para se të ndahej nga kjo botë këtë fillim javë, ajo la për të bijën, vetëm 1 vjeçe, 18 dhurata, të cilat duhet t’i hapë në çdo ditëlindje të saj, deri kur të arrijë moshën madhore. Për t’i treguar vogëlushes së saj aq shumë të dëshiruar dhe kërkuar, se gjithmonë do jetë pranë saj dhe se sa shumë e do.  “Kështu do jem me ty”, është mesazhi që Elisa, i la të voglës Anna, bashkë me 18 dhuratat. Elisa dhe bashkëshorti i saj Alessio, zbuluan tumorin, në momentin më të lumtur të jetës së tyre, pikërisht kur lindi vogëlushja e tyre. Elisa u diagnostikua nga tumori në gji, i një forme shumë agresive dhe tej mase i vështirë për t’u kuruar. Për asgjë nuk shërbeu kimioterapia dhe as katër ndërhyrjeve të cilave iu nënshtrua Elisa. Sa më shumë kalonte koha, aq më shumë trupi i saj mbushej me metastaza kancerogjene. Pas një viti kurash, Elisa, pyeti të shoqin se sa kohë i mbetej. “Vetëm dy muaj”, u përgjigj Alessio. Që nga ai moment, nëna e re, nisi të përgatisë me detaje, 18 dhurata për çdo ditëlindje të vogëlushes së saj, deri kur të mbushte 18 vjeçe.

   

Share With:
Translate »
927 Views