Ide praktike për ushqimin e fëmijëve gjatë shkollës; Kombinimet që nxisin përqëndrimin dhe rrisin aktivitetin e trurit

Fëmijët kanë nevojë që të ushqehen mirë dhe në mënyrë të shëndetshme, pasi kjo ndikon jo vetëm në rritjen dhe zhvillimin e tyre, por edhe në përqendrimin e tyre në procesin mësimor. Ushqimet e konservuara, me ngjyrues të shumtë, me sheqerna, ndikojnë keq në shëndetin e fëmijëve dhe në zhvillimin e tyre. Gjatë kohës që fëmijët janë në shkollë truri ka nevojë për më shumë ushqim sesa kur janë me pushime, pasi edhe energjia që harxhon organizmi është më e madhe. Fëmijët kanë nevojë që të ushqehen me ushqime të freskëta, të përgatitura në shtëpi, pa konservues apo ngjyrues, për lëngje frutash të freskëta, për qumësht 2 herë në ditë, për fruta dhe perime të stinës, etj.

Fëmijët nuk duhet të dalin nga shtëpia pa ngrënë mëngjes pasi ai është vakti që i furnizon ata me energji për gjithë ditën. Fëmijët kanë nevojë për ushqim të mirë edhe në kohën e pushimit të madh. Mos u jepni fëmijëve patatina dhe molto, pasi ato nuk kanë asnjë vlerë ushqyese, madje përbërësit e tyre janë të dëmshëm dhe toksikë për organizmin. Zëvendësojini ato me sanduiçë (feta buke te mbushura sipas dëshirës) të freskët, me sallatë jeshile apo perime të stinës. Sot është e mundur që të gjesh qese apo kuti në të cilat mund të vendosësh copëza të prera karotash, kastravecësh, specash të kuq, rrush, mollë dhe nëpër kavanoza të vegjël qelqi me kapak mund të vendosim puding, sultiash apo kos shtëpie me fruta stine. Fëmijëve tanë u pëlqejnë frutat dhe unë kam mësuar që disa fruta t’i thaj/pjek në furrë e më pas t’i përdor kur nuk mund t’i gjesh të freskëta. Gjithashtu, një ide e mirë për të ruajtur disa fruta verore për në stinën e dimrit është ngrirja dhe ruajtja e tyre në ngrirësin e frigoriferit. Në këtë rast i referohem boronicave dhe manaferrave, të cilat pasi i pastrojmë, i lajmë, i kullojmë dhe i ruajmë në qese apo kuti plastike në ngrirës. Kur duam t’i përdorim në dimër, i nxjerrim 30 minuta më parë nga frigoriferi dhe i hedhim mbi drithërat e mëngjesit, në lëngun e frutave të fëmijëve apo edhe në pudingun e pushimit të madh. Tani që është stina e mollëve dhe e dardhave, unë i pastroj, i laj, u heq pjesën e brendshme dhe i pres në feta të holla. Në një tas qelqi hedh lëngun e një limoni të shtrydhur, 1 lugë kafeje kanelle pluhur dhe 2 lugë gjelle mjaltë. I përziej mirë derisa të bëhen një masë dhe me një furçë kuzhine lyej frutat e prera në feta, të cilat më parë i kam vendosur në një tepsi të cekët të shtruar me letër pjekjeje kuzhine. I vendos në furrën e ngrohur më parë në temperaturën 50 gradë Celsius dhe i lë të piqen/thahen nga lëngu i tyre për 8 orë. Pasi frutat ftohen, i vendos me shtresa nëpër kavanoza qelqi dhe i ruaj në frigorifer. Fëmijët i shijojnë shumë kur i marrin këto fruta me vete në shkollë. Uroj dhe shpresoj me zemrën e një mikeje që të jeni mirë dhe plot energji për të përmbushur me sukses dhe entuziazëm misionin e bukur, të vështirë dhe unik të prindërimit! Bashkudhëtare në prindërim, Edi Gogu “PROFAMILJA”

Share With:
Translate »
455 Views