Implanti koklear falas, Manastirliu: 29 fëmijë kanë kryer ndërhyrjen për rikthimin e dëgjimit

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu ka vizituar fëmijët me humbje të thellë dëgjimi, të cilët i janë nënshtruar ndërhyrjes së implantit koklar në Spitalin Francez në QSUT. Manastirliu u shpreh se kjo është një ndërhyrje që ofrohet falas nga shteti.

“Implanti Koklear është një intervent, i cili tashmë realizohet nga ekspertët tanë në shërbimin tonë shëndetësor publik në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Është një procedurë e cila është e kushtueshme por ofrohet falas për çdo fëmijë që ka humbje të thellë dëgjimi. Ne sot kemi 29 fëmijë që janë mbështetur nëpërmjet vendosjes së implantit koklear. Janë 29 fëmijë, 4 prej të cilëve janë pikërisht sot këtu në këtë spital që kanë kryer interventin dhe janë duke kryer interventin të cilëve do t’u rekuperohet dëgjimi”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh se Programi ynë i dëgjimit do të vijojë të fuqizohet në maternitetet në të gjithë vendin.

“Programi ynë i dëgjimit do të vijojë të fuqizohet në maternitetet në të gjithë vendin, në mënyrë që të kemi më shumë informacion dhe të ndihmojmë sa më shumë fëmijë. Deri përpara disa vitesh nuk mendohej që të kryheshin këto ndërhyrje në sistemin publik. Por tashmë jo vetëm që kryhen në sistemin publik, jo vetëm që realizohet ndërhyrja, por realizohet edhe ndjekja nëpërmjet strukturave tona të fizioterapisë, të logopedisë që është shumë i rëndësishëm që tashmë ka filluar si shërbim dhe po shtrihet edhe në qytete të tjera, për të vijuar përkujdesjen pranë vendeve të banimit për këta fëmijë që kryejnë implantin koklear”, tha Manastirliu.

Ky është viti i tretë i financimit 100% nga shteti i implantit koklear, një paketë që garantohet falas për çdo fëmijë me humbje të thellë dëgjimi.

Share With:
Translate »
25 Views