Ka humbur të dy prindërit, Rozana Radi: Kë do zgjidhja të zbriste në tokë nëse do më jepej mundësia…
Këngëtarja dhe moderatorja e njohur Rozana Radi ka qenë e ftuar në rubrikën “Tani mund të këndosh” tek E Diela Shqiptare. Ajo ka folur hapur dhe pa doreza për jetën e saj private dhe profesionale. Rozana është shprehur për prindërit se ajo e ndjen që nuk i ka humbur ende, ata janë aty brenda saj.
Rozana Radi: Shumë njerëz më thonë po vuan shumë, nuk po i lëshon dhe realisht nuk kam dashur t’i lëshoj sepse nëse i lëshoj dhe nuk e kujtoj që i kam humbur, atëhere do filloj t’i humbas vërtet. Unë mendoj që nuk i kam humbur ende, fakti që i mbaj brenda vetes. Është e mirë, le të jenë prezent në jetën tonë sepse edhe kur nuk janë, na bëjnë të mendojmë se janë si vetëkoshienca jonë që janë këtu. Me moshë kam arritur t’i balancoj këto gjëra dhe ata nuk do humbin kurrë për mua.
Ardit Gjebrea: Si të ka ndryshuar humbja e tyre?
Rozana Radi: Ka qenë shumë e vështire për mua sepse më mungon qoftë edhe një përqafim. Në një moment të mungon edhe një supë e ngrohtë në shtëpi kur kthehesh. Sa më shijonte ajo supa edhe pse mami e kishte bërë dy ditë para, e kishte ngrohur, i kishte hedhur dhe ndonjë bizele që kishte tepruar nga gjella e djeshme dhe unë e shijoja me një dashuri të pafund sepse e kishte bërë nëna ime.