Kocibellinj: Ka edhe gra në Shqipëri që i thonë vajzës biologjike “mos hap gojën” kur përdhunohen
Referuar vrasjes në Volos të Greqisë që mori vëmendje aq të madhe, ish-Myftiu i Tiranës Ylli Gurra shprehet në “Opinion” se ndonjëherë duhet menduar mirë para vendimit për një martesë të dytë, në rastet kur ka fëmijë në mes. Fatmir Talellari ekzekutoi me armë zjarri pak ditë më parë kunatin e tij pasi ky i fundit i kishte përdhunuar vajzën që e kishte me gruan e parë. “Nënë s’të bëhet askush përveç asaj që të ka falur Zoti”, tha Gurra duke nënkuptuar se njerka nuk ka pasur përkujdesjen apo vigjilencën ndaj vajzës.
Aktivistja Suela Kocibellinj u shpreh nga ana tjetër se kjo s’është një e vërtetë absolute, pasi ka raste të shumta kur edhe prindërit biologjikë nuk i mbrojnë fëmijët e tyre nga abuzime të tilla.
Ylli Gurra: Rastet këtë tregojnë, në çdo vend, përveç asaj që të ka fal Zoti askush tjetër nuk mund të të bëhet nënë.
-Nuk mund ta thuash këtë.
Ylli Gurra: Jo përgjithësim, por në të shumtën e herës…
Suela Kocibellinj: Ka njerëz të mirë dhe të këqinj në të gjitha anët. Se mund të jesh babai biologjik dhe je i keq, mund të jesh nëna biologjike dhe je e keqe.
Blerina Bombaj: Unë do thosha se babai nuk mund të bëhet nënë, se një grua tjetër edhe mund të bëhet se e ka instiktin.
Ylli Gurra: Por ajo grua në këtë rast (njerka e vajzës) në kaq pak ditë, ngrihet të mbrojë vëllanë e vet.
Suela Kocibellinj: Ke dhe nëna në Shqipëri që kur e dinë se babai ka përdhunuar vajzën, i thonë vajzës “mos hap gojën”. Imagjino…që e kanë sjellë vajzën në jetë. Ka raste që u thonë mos na nxirrni turpin nga shtëpia. Mund të jesh dhe nëna biologjike, por kjo s’do të thotë se je nëna më ideale në botë, mund të jetë ajo nënë që të ka birësuar dhe të ka rritur me dashurinë më të madhe në jetë. Të jesh prind do të thotë të prindërosh, të të japë qarkun tënd të sigurisë dhe po humbi shpresa brenda këtij qarku të ngushtë kemi të bëjmë me individë të dështuar./