Krijohet një platformë për vajzat dhe gratë e abuzuara seksualisht
Nisur nga rastet tronditëse të bëra publike në media, Fondacioni “Fundjavë Ndryshe” do të krijojë një platformë të veçantë për vajzat dhe gratë viktima të dhunës seksuale, platformë që do të drejtohet nga Emina Cunmulaj si zëvendëspresidente.
“Në kontekstin e ngjarjeve të fundit, statistikave zyrtare dhe numrit të lartë të raportimeve të dhunës dhe abuzimeve që marrim gjatë procesit tonë të punës, duket se ky fenomen vazhdon të rritet me ritme të shpejta, ndaj dhe Fundjavë Ndryshe ka marrë përsipër krijimin e një mekanizmi për mbrojtjen, sigurinë dhe integrimin e viktimave të dhunës në familje dhe abuzimit seksual. Jemi të entuziazmuar të njoftojmë sot që kemi filluar një platformë të re të fokusuar posaçërisht në këtë çështje.
Ky program do të drejtohet nga Emina Çunmulaj si zëvendëspresidente, e cila ka punuar me përkushtim pranë Fundjavë Ndryshe për tre vitet e fundit për t’i dhënë mundësi të reja të gjithë njerëzve në nevojë.” – shkruan “Fundjavë Ndryshe” në Instagram.
Emina Cunmulaj, e cila është pjesë e bordit drejtues të “Fundjavë Ndryshe”, u shpreh:
“Kjo platformë e re do të na ndihmojë jo vetëm të rritim ndërgjegjësimin, por edhe të mbledhim fonde që janë shumë të nevojshme për të garantuar sigurinë, shëndetin mendor dhe ekonomik të viktimave të abuzuara.
Krahas Arbër Hajdarit dhe një ekipi të ri të profesionistëve shëndetësorë dhe juridikë, ne do të luftojmë për të sjellë drejtësi dhe stabilitet për viktimat e dhunës.”
Fjalimin e Eminës e ndiqni në vijim: