Letra e një nëne: “Ndonjëherë më duket se nuk do ja dal, a je dhe ti si unë?”
Mbrëmë, im bir vendosi të flinte në shtrat me mua. Fjeti menjëherë si qengj, kurse unë nuk arrita të vija gjumë në sy.
Të flesh me një fëmijë të asaj moshe është njëlloj si të flesh me akrepat e orës pasi tërë natës kisha duart dhe këmbët e tij në fytyrë. Kur u zgjova isha e lodhur. Shumë e lodhur! U zgjova dhe po mendoja sa mirë do të ishte sikur ekspresi i kafesë të ndizej vetë ose sikur filxhani të mbushej vetë dhe më pas të trokiste në dhomën time. Kurse ai u zgjua i lumtur. Më përqafoi dhe më tha “Të dua ma”. Nuk e kishte idenë sa e lodhur isha dhe se sa shumë më dhembte shtylla kurrizore. Do të kisha dhënë gjithçka për pesë minuta të tjerë gjumë. Kurse ai ishte i lumtur që po më shihte.
Po ti ?
Edhe ti je një nënë e lodhur si unë?
Thua vallë me vetë “Ah, sikur dita të zgjaste më shumë se 24 orë !” ? Punon, merresh me pastrimet e shtëpisë, bën rolin e arbitres kur fëmijët grinden cili të luajë i parë në kompjuter apo kur nuk gjejnë lodrat e preferuara. Ke kohë ta shohësh veten në pasqyrë? Ndoshta vetëm atëherë do ta kuptoje sa e lodhur je. Sepse ndonjëherë të jesh nënë nënkupton thjesht të jesh E LODHUR.
Ndonjëherë ndihesh vetëm, pasi askush nuk e vë re atë që ti bën çdo ditë. Madje askush prej atyre që po e lexojnë kwtw nuk e dinë që mbrëmë kam fjetur vetëm 42 minuta. Të jesh nënë do të thotë të dorëzohesh pa kushte, të tejkalosh limitet e tua dhe të jesh gjithmonë e aty, e palodhur për fëmijën tënd, por e rraskapitur për veten. Fundja roli i nënës ka qenë gjithmonë i tillë. Jemi rritur me historitë e gjysheve që na tregonin për lodhjen e pafund gjatë rritjes së fëmijëve. Më pas nënat tona. Kurse tani që jam vetë e tillë e kuptoj që të jesh nënë është edhe thjesht të jesh E LODHUR.
Prindërimi nuk është aq i thjeshtë si librat që lexoja me tim shoq gjatë shtatzënisë. Nuk ka shkëlqimin e emisioneve televizive apo fotove që postohen në Instragam. Më besoni, jam aq e lodhur sa nuk gjej kohën të ngre telefonin dhe jo më të jem aktive në rrjetet sociale. U kërkoj ndjesë mikeshave të mia që nuk u përgjigjem prej disa kohwsh. Përballemi çdo ditë me vështirësi, paguajmë taksat, shkojmë në punë, mbledhim lodrat e pafundme në kopshtin para shtëpisë, shpikim histori me fantazma e alienë për të vënë në gjumë fëmijët. U buzëqeshim nënave të tjera dhe vazhdojmë ciklin e lodhjes tonë.
Nuk je vetëm ! Më dëgjon ?
Nuk je vetëm!
Nënat e tjera në supermarket, shkollë, në punë, nëna në makinën ngjitur që ka ndaluar në semafor si ti, me siguri të gjitha janë të lodhura si ti. Me siguri edhe ato kanë dyshimet e tyre rreth amësisë. Me siguri po mendon për atë trukun e ekspresit si ti. E pavarësisht të gjithave japim gjithçka për fëmijët tanë.
Kjo letër është për ty, për ty nënë e lodhur dhe e mrekullueshme. Për ty që nuk fle. Për ty që vrapon çdo ditë pas fëmijëve të tu. Për ty që sapo ke sjellë në jetë një fëmijë dhe po fillon rrugëtimin e lodhshëm e të qenit nënë. Për ty që pret deri vonë zgjuar djalin tënd adoleshent. Për ty mamaja ime që më pyet nëse dua pak nga ushqimi që ke gatuar sot për drekë.
Kjo është për ty që po më lexon tani. Për ty që ndoshta nuk ke fjetur. Fundja kush ka nevojë të flejë edhe ca orë më shumë?