Letra që Charlie Chaplin i dërgoi vajzës së tij natën e Krishtlindjes ”Unë gjithnjë u përpoqa të jem njeri. Përpiqu edhe ti’

” Bija ime, Është natë. Nata e Krishtlindjes. Të gjitha rojet e kështjellës time të vogël i ka zënë gjumi. Flenë vëllai dhe motra jote. Edhe nëna jote tani fle. Vetëm zogjtë, sapo u zgjuan dhe të përgjumur u mblodhën tek kjo dhomë gjysmë e ndriçuar. Sa larg jam nga ti! Do të më kishte kapluar gjumi, sikur portreti yt, qoftë edhe vetëm për një çast, do të më hiqej nga sytë. Ai është këtu në tryezën time, ngjitur me zemrën time. Ku je ti? Larg, në Parisin e përrallave, në skenat e teatrove të mrekullueshme të Champs Elysees. Unë i njoh mirë ato skena. Në qetësinë e natës dëgjoj hapat e tua dhe shikoj sytë që të shkëlqejnë si yjet në qiellin dimëror. E ndjej, si e luan ti rolin e Bukuroshes Persiane, robinë e Khanit të tartarëve, në këtë spektakël festiv të shkëlqyer.

Vazhdo të jesh e mirë dhe kërce! Vazhdo të jesh një yll dhe shkëlqe! Por, kur do të ndjesh se ovacionet dhe mirënjohja e publikut fillojnë të të dehin, apo kur aroma e kurorës me lule të freskëta do të ta mpijnë mendimin, ulu në një qoshe dhe lexo letrën time. Dëgjo zërin e babait tënd. Unë jam babai yt, Geraldina! Unë jam Çarli, Çarli Çaplin! A e di ti sa net kam qëndruar tek shtrati yt, duke të treguar përralla për Bukuroshen e Fjetur dhe për dragonjtë, kur ti ishe fare e vogël ? Dhe kur gjumi m’i rëndonte qepallat e plakura, unë qeshja dhe i thosha: “ Largohu! Gjumi im, këto janë ëndrrat e vajzës time! Unë fle me ëndrrat e saj!” Unë i pashë ëndrrat e tua, Geraldina, pashë të ardhmen tënde, të pashë ty, sot. Unë pashë bijën duke kërcyer në skenë dhe si ajo u ngjit në qiell. Dëgjova publikun të thoshte:”Ej, shikojeni këtë vajzë? Ajo është vajza e gaztorit plak. E mbani mend, e quanin Çaplin?” Po, unë jam Çaplini! Gastori plak! Sot, është radha jote. Kërce! Unë kërceva me pantallona të gjera të shqyera, kurse ti kërcen me fustan të mëndafshtë princeshe. Këto kërcime dhe duartrokitjet e forta, gati të ngjitin në qiell. Fluturo! Fluturo atje! Por, zbrit edhe në tokë! Ti duhet të shohësh jetën e njerëzve, jetën e atyre valltareve të rrugës, që kërcejnë kur dridhen nga të ftohtit dhe uria. Unë isha si ato, Geraldina. Ishin ato netë të magjishme, kur ti flije e nanurisur nga përrallat e mia, e unë rija zgjuar. Shikoja mbi tre fytyrëzat, dëgjoja goditjet e zemrave tuaja dhe pyesja veten :” Çarli, a thua se këto kotele të njohin sadopak?” Ti nuk më njeh, Geraldina.

Shumë përralla të kam treguar në ato netë të largëta, por përrallën time – kurrë. Edhe ajo është interesante. Ajo është përralla e shakaxhiut të uritur, i cili këndoi dhe kërceu në lagjet e varfra të Londrës, dhe më pas mblidhte dashuri. Ja kjo është përralla ime! Unë dija ç’është uria dhe ç’është të mos kesh çati mbi krye. Akoma më shumë, unë provova dhimbjen poshtëruese të kërcimtarit shakaxhi, në gjoksin e të cilit ngrihej stuhia e urrejtjes në një oqean krenarie. Dhe.. këtë krenari, dhimbshëm, e plagosnin monedhat që hidheshin. Megjithatë, unë jetova. Por, le t’i lëmë këto. Më mirë le të flasim për ty. Pas emrit tënd Geraldina, është mbiemri im, Çaplin.

Me këtë mbiemër, për më shumë se dyzet vjet unë hutova mendjet e njerëzve nëpër botë. Qava shumë, edhe pse ata qeshnin. Geraldina, në botën ku ti jeton nuk ka vetëm vallëzim dhe muzikë!. Në mesnatë, kur ti largohesh nga salla madhështore, ndodh t’i harrosh përkrahësit e tu të pasur, por mos harro të pyesësh për gruan e tij, shoferin e taksisë që të çon në shtëpi. Dhe.. në qoftë se ajo është shtatzënë dhe nuk ka para të blejë pelena për fëmijën që do t’u vijë, futi atij ca para në xhep. Herë pas here udhëto me metro ose autobus, ecë me këmbë dhe shiko qytetin Shiko njerëzit! Shiko vejushat dhe jetimët! Dhe.. qoftë edhe njëherë në ditë thuaj vetes: “Unë jam njësoj si ata”. Po, ti je njëra prej tyre, vajza ime!. Ka edhe më. Arti, përpara se t’i japë njeriut krahë që të fluturojë lart, zakonisht, i thyen atij këmbët. Dhe.. po qe se vjen një ditë kur ti do ta ndjesh veten mbi publikun, menjëherë, flake skenën. Me taksinë e parë shko në ndonjë nga zonat e Parisit. Unë i njoh ato shumë mirë! Atje do të shikosh shumë kërcimtare ashtu si ti, madje, më të bukura, më mirënjohëse dhe me krenari të madhe . Atje nuk janë dhe as mendohet të jenë dritat verbuese të prozhektorëve të teatrit tënd. Prozhektor për ato vajza është Hëna. Shiko mirë, vëzhgo! A nuk kërcejnë ato më mirë se ti? Mendo ndershmërisht, vajza ime! Gjithnjë do të ketë nga ato që vallëzojnë më mirë! Dhe mos harro: Në familjen Çarli nuk kishte njerëz pa zemër që të ofendonin taksistin, ose t’u zgërdhiheshin atyre që qëndronin në brigjet e Senës. Unë do të vdes, ti do të jetosh. Unë dua që ti të mos e njohësh, kurrë, varfërinë. Me këtë letër të dërgoj një bllok çeqesh, që të kesh mundësi të shpenzosh aq sa dëshiron. Por, kur të shpenzosh dy franga, mos harro që monedha e tretë nuk është e jotja.

Ajo i takon një njeriu të panjohur, që ka nevojë për të. Një të tillë, ti do ta gjesh kollaj. Mjafton të duash që t’i shikosh këta të varfër të panjohur dhe kudo, do të takosh të tillë. Unë flas me ti për paratë edhe pse e di forcën e tyre djallëzore. Unë kalova shumë kohë në cirk dhe gjithnjë u shqetësova shumë për pehlivanët në tel. Por më duhet të të them, se në tokën e fortë, njerëzit rrëzohen më shpesh, se pehlivanët në telin e lëkundshëm. Mund të ndodhë, që në një nga mbrëmjet e bujshme, ti të verbohesh nga shkëlqimi i brilanteve. Është, pikërisht, ky moment, që të vendos ti mbi telin e rrezikshëm, nga ku rrëzimi bëhet i paevitueshëm. Në një ditë të bukur mund të të shfaqet fytyra e bukur e një princi. Tamam, atë ditë, ti bëhesh një pehlivane pa eksperiencë, dhe…. ata pa eksperiencë bien ngaherë. Mos e shit zemrën tënde për flori dhe gjëra të shtrenjta. Ta dish, brilanti më i madh është dielli. Lumturisht, ai shkëlqen për të gjithë. Dhe.. kur të vijë koha që ti do të dashurosh, duhet ta duash atë njeri me gjithë zemër. Unë i thashë nënës tënde, që ajo të të shkruante lidhur me këtë. Ajo e kupton dashurinë më mirë nga unë, ndaj është më mirë që ajo të flasë me ty për këtë. Puna jote është e vështirë, unë këtë e di. Trupi yt mbulohet vetëm me pak mëndafsh.

Kënaqësia e artit mund të kërkojë që të shfaqesh në skenë edhe lakuriq, por duhet të kthehesh prej andej jo vetëm e veshur, por edhe më e pastër. Unë jam plak dhe fjalët e mia mund të tingëllojnë të çuditshme. Por, sipas meje, trupi yt i zbuluar, duhet t’u përkasë atyre që dashurojnë lakuriqësinë e shpirtit tënd. Mos u frikëso, po qe se kuptimi im për këtë çështje të duket shumë i vjetër dhe u përket kohëve të shkuara. Mos u tremb, këto dhjetë vjeçarë nuk të plakin ti. Por, unë dëshiroj që ti të jesh e fundit, prej atyre që do të bëhen qytetarë të ishullit të karkaculëve. Unë e di, që midis etërve dhe fëmijëve, gjithnjë, zhvillohet një duel. Unë luftoj me veten, me mendimet e mia, vajza ime! Nuk i dua fëmijët e nënshtruar. Ndërkaq, përpara se nga sytë e mi të pikojnë lot mbi këtë letër, unë dëshiroj të besoj, që kjo është nata Krishtlindjeve, nata e mrekullisë. Dua që të ketë ndodhur mrekullia dhe ti, vërtet, t’i kesh kuptuar të gjitha ato që dëshiroja të të thosha. Çarli tani u plak Geraldina. Shpejt ose vonë, në vend të fustanit të bardhë të skenës, do të të duhet të veshësh teshat e zisë, për të ardhur tek varri im. Tani, nuk dua të të shqetësoj më shumë. Vetëm, sa herë do të shihesh në pasqyrë, atje do të shikosh tiparet e mija. Në dejet e tua rrjedh gjaku im. Madje, edhe kur rrjedha e gjakut në arteriet e mia do të ketë ndaluar, unë dua që ti të mos e harrosh babain tënd, Çarli. Unë nuk kam qenë engjëll, por gjithnjë u përpoqa të jem njeri. Përpiqu edhe ti.”

Share With:
Translate »
871 Views