Liljana Luani, mësuesja që “çliron” nxënësit e ngujuar nga gjakmarrja

Një bijë nga Dukagjini që “mjekon” plagët e gjakmarrjes në krahinën e saj dhe përtej. Kjo është Liljana Luani, mësuese në qytetin e Shkodrës e cila u bë pjesë e rubrikës “Ka një mesazh për ty” këtë të dielë. Dy nxënëse të saj e kishin ftuar në program për ta falenderuar për frymëzimin që u jep me anë të misionit që ka ndërmarrë vullentarisht prej shumë vitesh.
Siç treguan Sindi dhe Rovena, ajo nuk është një mësuese si gjithë të tjerat, jo thjesht nga profesionalizmi por mbi të gjitha nga shpirti human që e karakterizon. Prej më shumë se një dekade, ajo shkon në malësitë më të thella të Shkodrës për t’u dhënë mësim fëmijëve të ngujuar nga frika e gjakmarrjes. Dy nxënëset përfaqësonin zërin e atyre qindra fëmijëve që janë të privuar nga liria por që mirënjohjen e kanë të pafundme për mësuese Liljanën.
“Në vitin 2005 Kryqi i Kuq Shqiptar në bashkëpunim me atë spanjoll bënë një projekt për të identifikuar fëmijët që nuk vijnë në shkollë nga fenomeni i gjakmarrjes. Në përiferi të qytetit, para se të shkojmë në fshatin Bardhaj, gjeta një fëmijë që po luante në oborr. E pyeta “pse nuk vjen në shkollë?”. Atij i shkoi një lot dhe më tha “jam në gjak”. Seriozisht u trondita shumë. Mu duk vetja tejet e vogël, mu duk shoqëria tejet e vogël, para atij loti që la një kanal në faqet e pa lara të atij fëmije. Ai qau dhe qava edhe unë me të. I fërkova kokën dhe në ato momente u betova në heshtje që me tërë fuqinë e shpirtit do të të ndihmoj ty dhe fëmijët e tjerë me problematikë gjakmarrje. Aty ka filluar dhe vazhdon dhe sot”, është shprehur mësuesja për zanafillën e misionit të saj.
Atë që duhej të bënte shteti me anë të forcës së ligjit apo burrat e zonës, shpesh herë ka arritur ta bëjë mësuese Lili. Janë të shumta rastet kur ajo ka mundur të bëjë marrëveshje me gjakësit për të lejuar fëmijët që të frekuentojnë shkollën apo edhe të bëhen pjesë e festave të 1 qershorit apo aktivitete të tjera. Si zakonisht, Liljana jep mësim në qytetin e Shkodrës por misioni i jetës së saj shkon shumë më tej.
“Unë vetë jam bijë nga Dukagjini dhe kam dashur t’i shërbej komunitetit nga vij. Kjo më është dukur pika më delikate që kanë malsorët. Udhëtimi është i vështirë, me furgona dhe me këmbë. Kam ecur me orë të tëra. Nxënësit e mi më kanë pritur me padurim. Sado që lodhem ata më japin forcë. Punoj me gjithë shpirt me ta”, tregon mësuese Liljana për përvojën në zonat e thella malore.
Ajo tashmë nuk shikohet thjesht si një mësuese që ndihmon nxënësit të shkruajnë e të lexojnë por dhe si një nënë e bamirëse për ata fëmijë, familjet e të cilëve duke qenë të ngujuar për shkak të gjakmarrjes kanë dhe probleme të theksuara ekonomike. Ajo veçon rastin e një fëmije që e merr në telefon sa herë që ka një nevojë, përtej mësimdhënies.
“Atë djalë unë e kam jetim. Sa herë ka probleme më merr në telefon. Më mori në telefon dhe më tha “dua bukë”. Mora furgonin, bleva ushqime aq sa kam mundësi me rrogë mësueseje. U nisa bashkë më burrin tim. Ishte kohë e keqe dhe duhej të kaloja me varkë. Liqeni i Vaut të Dejës atë ditë ishte jo gri por i zi. Duhej të kaloja aty për të shkuar tek ai djalë që ti çoja bukë. Përpiqem me sa mundem. Nuk është se i bëj të gjitha vetëm me rrogën time por që kam arritur deri diku tu qëndroj afër atyre fëmijëve”.
Ajo thotë se lufton fort që këta njerëz të kenë vemendjen e duhur nga shteti shqitpar dhe gjithë shoqëria. Kjo nuk ka kaluar pa u vënë re dhe nga kompani të mëdha private, siç është Vodafone e cila jo vetëm që e ka promovuar punën vullnetare të mësueses por i ka dhënë edhe mbështetje financiare.
“Fushata e Vodafone “me zemër” më ndoqi deri në zonat e Dukagjinit. Shkoj dhe me varkë tek nxënësit e mi. Si rezultat i asaj reklame, i’u bë rikonstruksioni shkollës, një shkollë model. Ajo ka qenë edhe shkolla ku kam mësuar vetë. Unë ndihem mirë sepse shpesh thonë që “është shkolla që është rregulluar për Liljanën”.
Mësuese Liljana është përfshirë aq shumë në misionin e saj sa ka filluar dhe një studim për nivelin arsimor, psiko-social dhe gjendjen ekonomike të fëmijëve, familje e të cilëve janë të prekur nga gjakmarrja. Që nga fshati Curraj i Epër në Tropojë e deri në qarkun e Durrësit ajo po përpiqet të nxjerrë një statistikë të saktë për këtë problematikë. Megjithse nuk janë aë shumë sa mendohet, mësuese Liljana thotë se ky është një fenomen dhe plagë e shoqërisë shqiptare. Për punën e saj kanë respekt të gjithë, përfshirë këtu dhe “gjakësit” të cilët jo pak herë i kanë dhënë besën që të kryejë e qetë misionin e saj human tek familjet e ngujuara. Mirënjohjen njerëzit i’a shprehin duke i hapur derën në çdo shtëpi ku ka shkelur dhe kjo për mësuesen nuk është pak.
Përveç dy nxënëseve të pranishme në emision, stafi i “Ka një mesazh për ty”, i ka sjellë një video-mesazh surprizë Liljanës nga një djalë i ngujuar prej 17 vitesh, fjalët e të cilit e kanë bërë të përlotet atë dhe të pranishmit në studio. Prej pesë vitesh ajo i jep mësim vullentarisht në shtëpi dhe tashmë djali pret të bëjë provimet e klasës së 9-të. Mes falenderimeve të mëdha nxënësi shprehte dëshirën që edhe gjimnazin ta vazhdonte po me të njëjtën mësuese sepse siç thoshte adoleshenti “e vetmja mënyrë për të mësuar se çfarë ndodh jashtë mureve të shtëpisë je vetëm ti”.
Mirënjohja për punën e pa lodhur i ka ardhur dhe nga moderatori i emisionit Ardit Gjebrea dhe nga publiku në studio që e kanë duartrokitur pafund. Me të drejtë edhe nxënëset e saj janë shprehur që “po të kishim disa mësuese si Lili, me siguri që Shqipëria do vuante më pak nga plagët e fenomenit të gjakmarrjes”. Ajo nuk është thjesht një model frymëzimi për të dashur jetën por një model i investimit për një shoqëri paqësore e të emancipuar.

Share With:
Translate »
728 Views