Lira Gjika: Përjetimet negative pengojnë procesin e rritjes, në veçanti të masës trunore
Gjendjet psikoemocionale me ngarkesë negative, si zemërimi, frika, turpi, faji, vetmia, trishtimi e të tjera, ndikojnë në transformimin biokimik në organizëm. Situata biokimike e vendosur, vazhdon të jetë prezent në organizëm edhe pasi ka përfunduar shkaku që krijoi situatën.
Pikërisht pasojat e kësaj jetëgjatësie që provokohen nga situatat negative, janë në qendër të vëmendjes dhe studimeve të shkencëtarëve. Ata kanë arritur në përfundime se përjetimet negative, si zemërimi, frika, vetmia turpi, ndjenja e fajit, trishtimi e tjera, provokojnë situata biokimike në organizëm që prishin procesin normal të zhvillimit dhe rritjes, në veçanti të masës trunore.
Ata insistojnë se “terrori që përjeton një fëmijë, kur përballet me një prind të dhunshëm, nuk duhet nënvleftësuar, pasi është një frikë pa rrugëdalje. Është një frikë pa rrugëdalje sepse pikërisht ata, prindërit, që duhet ta mbrojnë e ta duan, e tmerrojnë. Kjo frikë “prish” ekuilibrin e trasmetitorëve ngacmues të trurit si “glutamati” që është nga neurotrasmetitorët më të fuqishëm, i cili luan rrol kryesor në aktivizimin neural, dhe sidomos vepron në sistemin limbik.
Sistemi limbik merret me memorien afatshkurtër, emocionet dhe ndjenjën e vetëdijësimit. Ky sistem me rëndësi të veçantë për njeriun, kërkon përkujdesje që në fillimet e jetës, pra në fëmijërinë e hershme, pasi mund të pengohet lehtësisht zhvillimi i plotë i këtij sistemi dhe pasojat vazhdojnë të shfaqen edhe në mosha madhore.