Lira Gjika: Prindërit shqiptarë përtojnë, ndaj e quajnë sakrificë edukimin e fëmijës!

Krimi është shpesh tregues i problemeve të një shoqërie. Një baba që vret vajzën e tij, një vajzë a një grua e dhunuar janë një këmbanë alarmi, që të gjithë ne duhet të hedhim sytë tek vetja dhe çfarë na rrethon. Mjekia pediatre Lira Gjika vë theksin në rolin e edukimit dhe të sistemit arsimor që Shqipëri. Cilat janë marrëdhëniet që një prind duhet të krijojë me fëmijën e tij dhe në ç’mënyrë gratë dhe nënat duhet të ndërgjegjësohen për rolin e tyre në familje dhe më tej?

-Vetëm disa ditë më parë në media u bë publik një rast, ku babai qëlloi për vdekje vajzën e tij dhe plagosi tjetrën. A është kjo një këmbanë alarmi për shoqërinë në përgjithësi dhe në veçanti për prindërit, të cilët në rradhë të parë duhet të vetëdijësohen dhe të edukojnë veten?

Fakti që së fundi po fillon të flitet për raste të tillë, tregon se opinioni nuk është më indiferent ndaj këtyre ngjarjeve. Mirë do të ishte që këto ngjarje të merreshin seriozisht nga specialistët, për atë pse ndodhën. Këtu shihet marrëdhënia femër-mashkull, raportet në familje që janë rrëmujë dhe raportet prind- fëmijë (në rastin konkret baba, vajzë), si dhe raportet e modeleve. Kemi disa gjëra që na bëjnë të mendojmë mirë, nëse jemi vërtet kështu siç duam të jemi: të qyetetëruar e të moderuar. Por këto raste përgjithësisht tregojnë se kemi të bëjmë me familje të pakultivuara, të pashkolluara, që nuk kanë me se ta mbushin ditën. Dhe natyrisht, në një familje të pashkolluar nuk ndërtohet ajo që quhet rezonancë emocionale, ku njeriu arrin të kuptojë veten, ta emërtojë atë që ndien, ta gjejë fjalën dhe ta zgjidhi problemin me fjalë. Në momentin që nuk e ke këtë mundësi, do të shpërthesh, pasi nuk e di çfarë je, je konfuz brenda vetes dhe nuk ke arritur nivelin gjuhësor të njerëzores, që të dish ku e ke vendin dhe deri ku e ke të drejtën të veprosh mbi tjetrin. Kur nuk arrihet kjo tjetri kthehet në pronë dhe pushtet. Një baba i tillë, meqënëse nuk arrin të jetë dikushi, atëherë mendon se në shtëpinë e tij është zot i shtëpisë së vet, pronar i gjithë këtyre jetëve dhe bën ç’të dojë me gruan e fëmijët dhe i përdor ata. Në momentin që babai shkon në shtëpi dhe keqtrajton të ëmën, do të keqtrajtojë dhe të bijën. Kjo tregon që familja nuk është më aq e sigurt për një adoleshent, sa ç’mendojmë ne. Por duhet thënë se në një shtet pa etikë, edhe familja është pa etikë. Këto probleme janë pjesë e jona, sado të qytetëruar të dukemi. Por sa më shumë të flitet, aq më shumë mundësi për emancipim ka. Shoqëritë e hapura këtë bëjnë: i nxjerrin problemet, që të kuptojnë ku janë dhe t’i zgjidhin dhe jo të ngecen atje. Prandaj, insistoj të trajtohen këto tema, të flitet sa më shumë. Femra në shoqërinë tonë shpesh konsiderohet si një send, më keq se në fillimet e patriarkatit.

-Thatë se probleme të tilla ndodhin shpesh në familjet e pa shkolluara dhe pa nivel. Mendoni se, në fakt, krimi ndodh përgjithësisht vetëm në këto grupe?

Rasti që sapo folëm, babai edhe pse ndahet e ndien veten pronar të gruas dhe fëmijëve. Ai pi dhe alkooli ka një veti që i heq njeriun turpin, i jep një lloj kurajoje. Ai pi dhe i shpërthen urrejtja, sepse atë ka. Duket që është një njeri i nivelit të ulët. Por, në fakt ka edhe njerëz të shkolluar, por që janë po në këtë nivel. Pra, kanë vetëm fjalë. Ai dhe fjala nuk kanë lidhje. Nuk ndodh ajo lidhja gjuhësore midis fjalës, gjuhës dhe mendimit. Fjala nuk i prodhon mendim ndaj vetes, të bëhet i vetëdijshëm për veten e tij, që është njeri. Në përgjithësi këta janë njerëz që e veshin fjalën si këmshië dhe shiten, janë të shkathët në përdorimin e saj, por nuk kanë lidhje me fjalën e tyre. Kanë të njëjtën konsideratë për femrën si një objekt, pronë. Meshkujt në përgjithësi e kanë këtë problem, sepse janë të pavetëdijshëm, nuk janë si gruaja, sepse gruaja duke rritur jetë brenda vetes bëhet e vetëdijshme.

-Atëherë, ju e shihni problemin e “objektifikimit” si problem me nuanca gjinore? Cili është roli dhe pozicioni i gruas në këtë mes?

Është e dhimbshme që ajo nëna atje nuk e mbron dot vajzën, është e paaftë. Mënyra e keqe e të rriturit i ka vrarë vetëdijen për të dashur. Mamaja rri se është e lodhur, se nuk e di që duhet të mbrojë. Kafsha në pyll e mbron fëmijën e saj. Nuk mund të pretendosh nga një njeri, nga një nënë e masakruar nga jeta që të mbrojë. Ajo përton. Mërzia është një koncept që studiohet shumë në filozofi dhe po u vendos ajo për njeriun, njeriu vegjeton dhe pervetohet. Njerëzorja mësohet, e mira mësohet, kultivohen.

-Si mund të kultivojnë atëherë prindërit të mirën, si mund të emancipohen ata për t’i bërë të vetëdijshëm fëmijët e tyre?

E para duhet të emancipohet femra. Po nuk u emancipua femra, që të jetë e vetëdijshme për veten e saj, mos gjendet shtatzënë, të mos jetë pre etj., nuk mund të vazhdojmë më tej. Por nuk është e lehtë të dalësh nga ndikimi i babait. Kur babai kthehet në frikë, nuk të lë të jesh vetja. Ti do të kesh gjithmonë frikë nga burrat. Nuk është e lehtë të flasësh. Një nga luftërat e mia në kohë ka qenë që i thosha tim shoqi: “Mundu nga vajzat! Të mundesh dhe ti duhet ta ndihmosh, që t’i japësh një argument për të të mundur, që ajo të mësohet që gjithmonë të gjejë argumente. Ti duhet ta bësh, në atë mënyrë që t’i japësh argumente dhe të mundesh e t’i thuash: -Po, kjo ishte ajo që duhej të thoje.” Sepse, po nuk e fitoi kurajën në familje vajza, nuk do ta fitojë jashtë saj. Ajo do të mbetet përherë skllave në të kundërt.

-Si mendoni atëherë që mund të edukohet konkretisht shoqëria dhe familjet shqiptare, në mënyrë që të vetëdijësohen për atë çfarë është pozitive dhe me vlera? Si mund të ndikojmë në uljen e rasteve të krimeve dhe në emancipim?

Në këto mjedise duhet të futemi me projekte. Të tërë ata që kanë mundësi për ta bërë, duhet ta mendojnë mirë këtë gjë. Vendet e zhvilluara e kanë zgjidhur dhe natyrisht zgjidhja është shkolla. Ky është problem i shkollës. Por duhet të mësojmë për një arsim edukues, formues, jo një arsim që e gjymton njeriun dhe e bën si këmshië. Ne kemi njerëz që e veshin edukimin si këmishë dhe ndërkohë brenda vetes nuk ndryshojnë fare. Patjetër duhet hyrë me projekte sociale dhe natyrisht projekti më i madh social është shkolla, duke filluar që nga kopshtet. Në kopshtet e fëmijëve apo në çerdhe mund të bëhet një projekt shumë i mirë, duke pritur nënat apo edukatoret. Duhet të bëjmë një reformë në arsim drejt vetëdijes, jo thjesht drejt të diturit. Boll dije na jep shkolla jonë, por aman nuk na bën qytetarë. Nuk arrin ajo të emancipojë njerëzit, individët që bëjnë shkollën. Duhet të kemi parasysh edhe që shteti merr përsipër arsimin. Por nuk është detyrë e shtetit arsimi, edukimi. Shteti zbaton. Duhet të jetë një strukturë tjetër që ne na mungon. Na mungojnë dy struktura, komisioni i etikës dhe komisioni i edukimit, që nuk kanë të bëjnë me shtetin. Komisioni i etikës ka të bëjë me njërëzit më të mirë të një kombi, më cilësorë, jo në bamirësi, por më të mirë në fjalën, në vetëdijen e tyre për emancipim, që janë filzoofë, teologë, shkencëtarë, gjuhëtarë. Një jetë e varfër nga ana kulturore nuk prodhon gjë tjetër, veçse do të ngelen me dyshimin për ekstitimin, ndjesitë seksuale. Nëse fëmijëve, adoleshentëve nuk ua mbushim jetën me krijimtari, me art, me letërsi, me muzikë, me sport, atëherë ata do të bëhen agresivë. Agresiviteti është energjia e natyrës që na rrit, na jep trupin, na jep energjië për të menduar, për t’u bërë njerëz dhe këtë energji ne nuk dimë ta menaxhojmë. Nëse kjo energji nuk kanalizohet përmes punës, sporteve do të dalë përmes dhunës. Ndaj shpërthen kjo gjë që shohim.

-Duke qenë se jeni marrë me projekte të kësaj natyre edhe para vitit 2000 dhe më parë, si përshembull të rinjtë në burgje dhe jo vetëm, mendoni se problemet e marrëdhënieve në familje dhe krimi që rrjedh prej tyre kanë ardhur duke u zbutuar apo e kundërta?

Mund të them me bindje se kontigjenti që braktis shkollën dhe nuk shkon as në shkollë dhe as në punë, është ai që furnizon burgjet, që krijon pasivitetin dhe bëhet një urë midis së mirës dhe së keqes dhe ky nuk është kontigjent i vogël. Dhe këta fëmijë, së shumti djem, vijnë nga familje jo fare të varfëra, por që kanë baba të fortë, prepotent. Veprimet e tyre janë dhe një sfidë ndaj babait. Shumë prej tyre e kanë rrahur babain, pasi ai ka qëlluar mbi nënën. Por një nënë që përdor fëmijën kundër babait duhet marrë parasysh. Mund të them se problemi është i mbartur dhe është ndërtuar gradualisht. Unë nuk shoh zgjidhje. Unë e shoh shkollën shumë pasive në edukim. E shoh që tek librat që kemi, te abetarja. Njerëzit harrojnë që te njeriu janë të rëndësishme gjërat e vogla. Ne vijmë nga dy qeliza të vogla që nuk i shohim me sy, por e vogla duhet marrë në konsideratë. Nëse nuk marrim në konsideratë gjërat atëherë kur bëhen, do të vazhdojmë kështu. Nuk hyhet me prepotencën e njeriut të fortë, por me prepotencën (nëse mund të përdor fjalën prepotencë) e njeriut të ditur. Kjo është e vështirë, se na mungon të qenit të vetëdijshëm. Në rastet konkrete është në pikëpyetje familja, emancipimi i një vendi.

-Televizioni ashtu si dhe mjete të tjera të informimit luan një rol në edukimin e shoqërisë. Së fundi duket se te ne, gratë dhe vajzat kanë krijuar një lloj varësie ndaj programeve televizive dhe telenovelave të ndryshme. Së fundi, vdekja e një personazhi në një nga këta seriale, duket se ngacmoi shumë më tepër se sa vdekjet e vajzave apo grave në jetën reale…

Njeriu, nëse nuk bëhet vetvetja, i vetëdijshëm për veten, do ta veshë fjalën si këmishë dhe do të shitet. Me çfarë do ta mbushë ajo grua apo vajzë kohën? Kur nuk ke kapur konceptin kohë, ke harruar që ti je një qenie. Koha, po nuk u përdor në favor të vetes tënde, të mbyll rrugët për të vazhduar më tej, për atë që çdo njeri ëndërron: të jetë dikush. Po nuk u përdor koha, të zvogëlohet. Kohës, sa më shumë t’i hedhësh punë, aq më shumë zmadhohet dhe ti ke kohë të bësh shumë gjëra. Ndërsa këto janë gra që rrinë ose në kafene, ose në telenovela. Kjo është një tragjedi, po aq sa ç’duket emancipim. Gruaja që rri e nuk qënsdis apo nuk bën triko si dikur është shumë në rregull nëse nuk do të bëjë këtë, por ka gjëra të tjera për të bërë, përshembull të merret me edukimin. Ajo e ka mbyllur kohën, nuk e ka më në dispozicion të saj, e ka shkëputur lidhjen me kohën. Ajo nuk di çfarë të bëjë me veten. Vendoset mërzia në mes dhe ti dhe koha, ti dhe vetja, ti dhe gjuha jemi shkëputur. Dhe njeriu kur humbet kohën, nuk emancipohet dot. Sepse koha të jep të kuptosh që dje ishe një ditë më i vogël se sot.

Megjithatë, përtej gjithë këtyre problematikave, prindërit dhe nënat shqiptare përgjithësisht sakrifikojnë për fëmijën e tyre…

Nuk ka ves më të keq se sa kur kujdesin e kamuflon me sakrificën. “Do ta mbaj në kurriz se s’kam ç’të bëj”, thonë shpesh prindërit te ne për fëmijët e tyre. Në fakt, këta prindër kanë përtuar ta ushqejnë, kanë përtuar ta durojnë fëmijën e tyre, e kanë parë kujdesin për të si durim, si mërzi. Natyrisht që kujdesi është durim, por kjo do të thotë të rritesh dhe ti me fëmijën. Kjo është përgjegjësi, të kontrollosh emocionet e tua dhe të zgjedhësh atë që duhet, ta emërtosh. Platoni ka një shprehje të madhe: njeriu i mirë i mendon të gjitha, por nuk i bën të gjitha, zgjedh. Ky është njeriu i mirë, qytetari.

Share With:
Translate »
707 Views