Manjola Nallbani dhe e bija i sollën më shpejt festat këtë vit
Nga: Kostandin Feshti
Këtë shkrim do ta nisim kështu; Thonë se “njeriu është artist në shpirt”, e në fakt, gabim nuk e kanë. Por, sa e gjetur bëhet kjo thënie kur artin që shpirti të mban, e ke të jetësuar si profesionin tënd, ashtu si dhe në mënyrën e të jetuarit bukur. Ky është dhe rasti i këngëtares ikonike të skenës muzikore në Shqipëri, Manjola Nallbanit, e cila, bashkë me vajzën e saj, autoren e 2 librave ( në punë e sipër për të 3-in ), Sindi Tona, na dhanë kënaqësinë për të ndarë disa momente të bukura në shtëpinë e tyre të ngrohtë. Një shtëpi në të cilën, në fakt, festat e fundvitit kanë ardhur që më 1 Nëntor.
Duke e njohur si mik natyrën gazmore e plot jetë që Sindi ka, nuk habitem. Gjithashtu, duke njohur shijen e rafinuar për të bukurën që Manjola ka, fakt ky i cili evidentohet shumë lehtë vetëm me një shikim të shpejtë ndaj saj, qoftë dhe prezencës vizuale në rrjetet e saj sociale, përsëri nuk habitem. Një artiste me syrin e intuitën estetike më të përshtatshme për të krijuar një karrierë të dytë për veten, në rolin e një “Interior Designer” ( Kuratore Interieri ), shtëpinë e familjes Tona – Nallbani, e ka ideuar si një hapësirë jetese tejet elegante, por njëkohësisht, si një hapësirë në të cilën, që në momentin e parë që bën një hap brenda, ndihesh tamam “si në shtëpi”.
Sugjerimi im për të gjithë lexuesit e Living: 10-fishojeni këtë ndjesi që mund të keni marrë nga përshkrimi i mësipërm, si rrjedhojë e dekorimit të realizuar me të gjitha orenditë përkatëse për të festuar festat e fundvitit. Një pemë e madhe, e stolisur me zbukurime nga më të veçantat, e veshur me nuanca të bardha, roze e “spërkatje” të kuqeje këtu – aty. Balerina që kërcejnë e mbajnë poza të ndryshme, një biçikletë e bardhë, gati për të të çuar drejt e në Polin e Veriut, një kafaz i florinjtë me një zog brenda, që pret datën 31 dhjetor për të numëruar dhe ai mbrapsht e plot aksesorë të tjerë unik, vezullues mjaftueshëm sa për të të bërë të kapërcesh menjëherë në një “Winter Wonderland”, aty ku magjia e festave mund të zgjasë fare mirë gjithë vitin.
Disa njerëz, kampi i Z. Grinch, do thonë pa hezituar: “Po pse?”; “Pse kaq herët?”; E ne do t’i themi thjesht: Pse Jo? Në një botë të egër, e cila rrotullohet rreth Diellit shumë më shpejt seç ne e mendojmë, çdo gjë e cila të largon pak nga realiteti i mbushur me një mori fenomenesh, është perfekte për ta bërë pjesë të jetës. Disa, zgjedhin që momentet e tyre t’i mbështjellin në një fjongo hareje që zbukurimet karakteristike të muajit dhjetor sjellin, e t’i bëjnë ato pjesë të vëmendjes së përditshme në shtëpi, që në fillimet e muajit nëntor.
Fundja, Amerika ka një Mariah Carey, ndërsa ne kemi një Manjola Nallbani, e cila nëpërmjet një videoje të ndarë me ndjekësit e saj në “Instagram”, pohonte se është e fundit që e heq pemën; Ne mendojmë që shumë mirë bën. Gjithashtu, nuk mungonte dhe një ndër urimet më plotësuese për miqtë e saj virtual: “Mbarësi për të gjithë”. Një urim ky që shumë shpejt do fillojmë ta dëgjojmë më shpesh, e që madje, unë them se s’duhet të kemi një arsye specifike për t’ia uruar njëri – tjetrit. Ndaj, do ta mbyllim në këtë mënyrë:
Mbarësi për të gjithë e festa sa më të gëzuara e të bukura përpara,