Me lot në sy, thirrja dëshpëruese e nënës për drejtësi: Më vranë djalin dhe provokuan, do shkoj te Yuri Kim
Dallandyshe dhe Vullnet Metaj, prindërit e Qani Metajt, 25-vjeçarit që mbeti i vdekur në një aksident rrugor në 17 shtator të vitit të kaluar kërkojnë drejtësi për djalin e tyre. Gjykata e dënoi autorin me 5.4 vite burg, por nëna e viktimës thotë se edhe pse kanë kaluar disa muaj, ende nuk kanë në dorë ekspertizën mjeko-ligjore që të vërtetojnë shkakun e vdekjes dhe nëse i biri do të shpëtonte nëse do të kishte marrë ndihmë nga autori, i cili e hodhi në kanal dhe u largua.
Dallandyshe Metaj me zërin e dridhur dhe lot në sy shton se gjyqi nisi vetëm pasi ajo doli në media dhe takoi Kryeprokurorin Olsian Çela gjatë vizitës në Fier pak muaj më parë. Prindërit e 25-vjeçarit të ndjerë shprehen se do të kërkojnë drejtësi dhe për këtë do i drejtohen ambasadores amerikane dhe Hagës.
“Unë jam nëna e të ndjerit Qani Metaj. Pas meje ndodhet gjykata që ka gjykuar vdekjen e djalit tim. Para 11 muajsh ma vranë djalin dhe ma lanë në kanal, ai që ma vrau djalin është larguar nga vendi i aksidentit. Pas një zvarritje nga prokuroria, jemi ankuar edhe te Kryeprokurori. Pas bërjes mediatike për herë të parë pas 15 ditësh filloi gjyqi i parë, dje u mor një vendim i paprecedent, qesharak absolutisht.
A vallë vlen jeta e një 25-vjeçari 5.4 vite burg? A ky është shteti jonë? A kjo është drejtësia në vendin tonë? Ne kemi kërkuar gjykim normal, por gjyqtarja pranoi gjykimin e shkurtuar, kur Instituti i Lartë i Drejtësisë ka dhënë përfundimin fajtor në gjendje të rënduar, pasi kishte precedent penal të tjerë dhe braktisi viktimën. Ne kërkojmë nga gjyqtarja nëse djalit i ka ardhur vdekja nga përplasja me makinën apo mbytja në kanal. Gjyqtarja nuk pranoi këtë por gjykimin e shkurtuar duke e dënuar me 5.4 vite.
Pretendimet dhe kërkesat tona nuk janë marrë parasysh. Ne kërkuar një gjë të thjeshtë, nga se i erdhi vdekja djalit? Fajtori të dënohet plus për vrasjen, por edhe braktisjen. U mor parasysh vetëm cfarë kërkoi pala tjetër. Ne do të shkojmë te ambasadorja Yuri Kim. Unë do të shkoj deri në Hagë, nuk ka shanse të shkeli dikush gjakun e djalit tim. Po kërkoj vetëm drejtësi dhe do ta kërkoj deri në pafundësi. Kjo është vrasje për herë të dytë” tha ajo.
Por nuk mbaron me kaq, pasi Dallandyshe Metaj thotë se pas i vranë djalin, pala tjetër edhe e ka provokuar. “Në sallën e gjyqit provokoi. U lutem shumë atyre zotërive të lënë provokimet. Ai i tha djalit, cfarë ke që më shikon dhe unë si e mbajta djalin dje në shtëpi, pasi më tha “edhe më ka vrarë edhe më provokon, nuk ka shanse” tha nëna e djalit që humbi jetën.
Gazetarja e ABC, Valbona Davidhi raporton se gjykata vendosi për autorin të njëjtën masë që është kërkuar nga prokuroria si dhe mos lejimin e lirimit me kusht. Kështu, Klaus Mahmuti në bazë të vendimit të gjykatës do të vuajë një dënim përfundimtar prej 5 vitesh e 4 muaj në një burg të sigurisë së zakonshme ndërsa është deklaruar fajtor për veprat penale “shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor” me pasojë vdekjen e Qani Metajt dhe “largim nga vendi i aksidentit”.