Mimi Kodheli hap dyert e shtëpisë dhe rrëfen një histori të gjatë brenda mureve

Ish-ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, ka qenë sot e ftuar në “Pasdite në Top Channel”, ku ka folur ndër të tjera jo vetëm për sukseset dhe sfidat e katër viteve si ministre Mbrojtjeje, por ka hapur për herë të parë edhe dyert e shtëpisë për publikun.

Siç tha ajo, është tejet fanatike kur është fjala për privatësinë, por vendi ku banon nuk është aspak i zakonshëm. Sapo hyn, syri të kap një dekor mirëfilli pikturash – vepra të Kel Kodhelit, vjehrrit të Mimi Kodhelit.

Siç tregon ajo, në mure janë më shumë se 100 piktura, të cilat jo vetëm që zbukurojnë shtëpinë, por njëkohësisht janë edhe një histori më vete për familjen Kodheli: “Dikush ka fatin ta ketë pasur vjehrrin piktor”, – thotë ajo me të qeshur duke shtuar se ajo është fatlume që ka jetuar dhe vazhdon të jetojë prej 30-vjetësh tashmë në familjen Kodheli.

Gjithandej gjenden vepra të Kel Kodhelit. Disa prej tyre janë nga piktura nga një ekspozitë e hapur për rreth 6 muaj në Bashkimin Sovjetik. Piktuarat janë të punuara në baku dhe i përkasin vitit 1958, tregon më tej ish-ministrja.

Më tutje është biblioteka e madhe, një tjetër kënd i dashur për Kodhelin. Mes librave të panumërt, gjendet edhe “një libërth me histori të vjetra shkodrave. Në faqe të parë, libri ka vënë motrën e tij, vjehrra ime, e para zonjë që i binte violinës në publik në atë kohë”, – thotë më tej Mimi Kodheli. Dhe kështu vazhdon Kodheli duke shpjeguar disa prej elementëve që ndërtojnë pothuaj të gjithë historinë e familjes së saj.

Diku më tutje gjendet edhe një xhamadan i vjetër më shumë se 100-vjeçar, ka botime të para viteve ’40 e shumë krijime të hershme të familjes që Kodheli i ruan me shumë fanatizëm.

Ndërsa më tej, gjendet edhe një qoshe, më e dashura për ish-ministren e Mbrojtjes. Është vendi i saj i punës, aty ku e gjen veten shpesh në qetësi: “Po të më linin edhe të gjitha vitet që kam për të jetuar, natyrisht do të zgjidhja të rrija në këtë kënd të shtëpisë…” – thotë ajo me të qeshur duke theksuar se ky është rasti i parë që ndan me publikun një prej këndeve më të dashura të privatësisë së saj.

Share With:
Translate »
1845 Views