Mund të duket e vështirë, por ja si të krijoni lidhje me fëmijën pas lindjes Cezariane
Fëmija juaj i porsalindur është në kraharorin tuaj ndërsa derdhni lot gëzimi. Besojmë se e keni imagjinuar momentin kur fëmija juaj vjen në botë si momenti më i lumtur i jetës suaj. Por ndonjëherë gjërat nuk shkojnë sipas planit.
Pavarësisht nëse lindja cezariane ishte e planifikuar apo jo, ju mund të mos jeni në gjendje të përqafoheni me fëmijën tuaj menjëherë. Gjithashtu, si çdo procedurë tjetër kirurgjikale, rikuperimi i plagës kërkon pushim për ditët e para, kështu që nuk do të jeni në gjendje të lëvizni dhe të ngriheni lehtë nga shtrati. Por mos u shqetësoni, ka mënyra se si mund të keni një përvojë lidhjeje me të porsalindurin tuaj pas lindjes.
Kontakti lëkurë me lëkurë
Pas lindjes, foshnja mund t’ju sillet nga infermierja dhe mund të vendoset lëkurë më lëkurë në gjoksin tuaj të zhveshur. Kjo lloj prekjeje, e referuar edhe si “kujdesi i kangurit”, ka rezultuar shumë i dobishëm për lidhjen emocionale mes jush dhe fëmijës suaj.
Momente përqafimi
Ndërsa jeni ende në spital dhe po rikuperoheni nga një procedurë, mund t’i përdorni këto momente për të përqafuar butësisht dhe për të folur me fëmijën tuaj sa herë që infermierja jua sjell atë.
Koha e ushqyerje
Pavarësisht nëse e ushqeni me gji ose formulë, koha e ushqyerjes ofron një mënyrë të menjëhershme për t’u lidhur me fëmijën tuaj. Nëse ushqyerja me gji nuk është një opsion, ka formula qumështi të përshtatshme posaçërisht për foshnjat e lindura me operacion cezarian që sigurojnë baktere të dobishme me të cilat nuk kanë rënë në kontakt. Nëse mbajtja e foshnjës pranë gjoksit shkakton dhimbje, përdorni një jastëk si ndarës midis barkut tuaj të ndjeshëm dhe foshnjës.
Pasi të keni arritur në shtëpinë tuaj të ëmbël, vazhdoni të zhvilloni një lidhje emocionale me fëmijën tuaj. Aktivitetete si kontakti lëkurë me lëkurë pas larjes, masazhet e buta, koha e ushqyerjes dhe vënia në gjumë e foshnjës mund t’ju ofrojnë momente të çmuara së bashku, shkruan përnënat.al. Me përgjigjen tuaj plot dashuri, ngrohtësi dhe kujdes ndaj nevojave të fëmijës suaj, mund të jeni të sigurt se një lidhje emocionale, jetike për zhvillimin e foshnjës, është krijuar me sukses dhe se ajo do të rritet gjithnjë e më shumë me të.