Nazim Hikmet: Letra e fundit për djalin

Poezi nga Nazim Hikmet

Mos rro mbi këtë dhé
si qiraxhi
a si pushues në natyrë.
Jeto në këtë botë
si të ishte shtëpia e tyt eti.
Besoji grurit,
tokës, detit,
por mbi të gjitha duaj njeriun.
Duaj renë, makinën dhe librin
por mbi të gjitha duaj njeriun.
Trishtohu
për degën që thahet
për bimën që shuhet,
për kafshën e sëmurë,
por mbi të gjitha trishtohu për njeriun.
Të gjitha të mirat e tokës
ta dhënshin pa kursim gëzimin,
hija e drita
ta dhënshin pa kursim gëzimin,
katër stinët
ta dhënshin pa kursim gëzimin,
por mbi të gjitha
ta dhëntë gëzimin njeriu.

Shqipëroi: Zija Vukaj

Share With:
Translate »
36 Views