Në varfëri dhe 6 fëmijë, por 39-vjeçarja nuk e ka menduar kurrë abortin
Në “Historia Ime” nga Mirela Milori, Fatbardha Çeku tregon për familjen e saj. 6 fëmijët janë gjithçka për të, ajo ka thurur ëndrra për t’i shkolluar e ka dëshirën që të kenë një të ardhme të mirë. Për sa i përket martesës, ajo rrëfen se si çdo martesë, ka patur përplasjet e veta, por kanë ecur së bashku në jetë. Pamundësitë ekonomike shpesh kanë shkaktuar probleme në familjen e tyre, deri në prag të divorcit, por sërish nuk janë dorëzuar. Shpesh, njerëzit i kanë gjykuar pse kanë bërë 6 fëmijë kur nuk kanë mundësi për të përballuar një jetesë për ta, por Fatbardha nuk e ka menduar kurrë një jetë pa ata dhe abortin as nuk e çon nëpër mend.
Mirela Milori: Po martesa jote si ka qenë?
Fatbardha Çeku: Të them të drejtën, mirë ka shkuar. Kemi patur edhe ne përplasjet tona, por mirë.
Mirela Milori: Përplasje të çfarë natyre?
Fatbardha Çeku: Kur nuk je mirë nga ana ekonomike, ka përplasje se jeta nuk shkon vaj, por nuk jam dorëzuar asnjëherë.
Mirela Milori: Po burri a është dorëzuar ndonjëherë?
Fatbardha Çeku: Jo, nuk është dorëzuar.
Mirela Milori: A të ka ardhur ndonjëherë shpirti në majë të hundës sa të thuash “po ç’mu desh me 6 fëmijë, të hyj në shtëpi me qera, ky i pazotë t’i vërë shpatullat shtëpisë e t’i thuash po tundu more si të gjithë edhe ti”?
Fatbardha Çeku: Jo, nuk them. Ka patur raste që na kanë thënë “këta janë si budallenj, sa fëmijë që kanë”, por nuk i kam dëgjuar asnjëherë, fëmija është dhuratë e Zotit.
Mirela Milori: Nuk të ka shkuar mendja asnjëherë që të abortosh?
Fatbardha Çeku: Jo, jo absolutisht.