Nëna me 3 fëmijët dyshohen të vdekur/ Policia: 9-vjeçarja u vetëmbyt si pasojë e dhunës nga babai, arrestohet i ati
Ngjarja e rëndë në Shkodër që dyshohet se ka sjellë mbytjen e nënës me 3 fëmijët e saj, dyshohet se ka pasur si shkak dhunën që babai ushtronte mbi familjen e tij.
Policia ka dalë me një njoftim zyrtar lidhur me ngjarjen e rëndë, ku thuhet se 9-vjeçarja që është gjetur e pajetë, është vetëmbytur si pasojë e dhunës nga babai i saj. Trupi i të miturës është gjetur mbrëmjen e djeshme rreth orës 22:00 në ujërat e lumit Buna në fshatin Darragjat.
Për rastin e rëndë, policia ka vënë në pranga 31-vjeçarin Ergys Arrazi për dhunë ndaj bashkëshortes dhe 3 fëmijëve, si dhe për shkaktim të vetëvrasjes së vajzës së tij 9-vjeçare, si pasojë e dhunës.
Ka qenë 31-vjeçari që ka kallëzuar në polici më 3 Maj se 1 ditë më parë ishin larguar nga banesa bashkëshortja e tij, 39-vjeçarja Alma Arrazi dhe 3 fëmijët e tyre të mitur, përkatësisht 9, 8 dhe 3 vjeç. Mënjëherë më pas, është ngritur një grup i posaçëm hetimor për të hetuar shkaqet e largimit nga banesa.
Bazuar në hetimet e kryera dhe inteligjenca policore, dyshohet se shkaku i largimit nga banesa ishte dhuna e ushtruar nga 31-vjeçari, ndaj bashkëshortes dhe fëmijëve, të cilët dyshohet se mund të kenë kryer vetëvrasje. Policia njofton se 31-vjeçari, u ndalua ditën e djeshme dhe ka qenë i dënuar më parë për kultivim të bimëve narkotike.
Polumbarët e RENEA-s vijojnë kërkimet pasi dyshohet se janë vetëmbytur dhe bashkëshortja dhe 2 fëmijët e tjerë të 31-vjeçarit.