Nëna shqiptare e tre fëmijëve kërkon ndihmë, rrezikon të dëbohet nga Amerika
Denada Rondos udhëtoi drejt Shteteve të Bashkuara në vitin 2002 me një vizë studenti, e që prej atëherë nuk ka dashur ta mendojë më rikthimin në Shqipëri.
Por, nëna e 3 fëmijëve përballet tani me rrezikun e dëbimit. Nga autoritetet e emigracionit i ka mbërritur njoftimi se duhet të largohet javën që vjen. Për Denadën, ky është makthi më i madh.
“Këtu kam gjetur gjithë çfarë kam ëndërruar në jetë, e madje edhe më shumë sesa aq. Erdha nga një vend i humbur dhe tani kam gjithë çfarë kam dashur përherë të kem”, tha Denada Rondos, emigrante shqiptare në SHBA.
I shoqi i saj Vironi, i cili ka arritur ta marrë nënshtetësinë amerikane, ka mbi 50 të punësuar në restorantin e tij në Cheshire të Connecticutit, e thotë se po të kthehej bashkë me familjen në Shqipëri, pasojat për ta do të ishin shkatërruese.
Denada ka luftuar të qëndrojë në SHBA që prej vitit 2007, kur mbërriti për herë të parë urdhri i zyrtarëve të emigracionit, të cilët i kërkonin të kthehej në vendlindje. Që prej atëherë, çdo vit me radhë ajo kishte siguruar një shtyrje të përkohshme, por e gjithë situata ndryshoi më 13 shtator, kur u njoftua se i kishin mbetur vetëm dy muaj kohë.
Të gjitha shpresat tani janë që t’i lejohet qëndrimi, për sa kohë çështja e saj kalon në sitën e rishikimit.
“Shpresoj shumë të më japin më tepër kohë. Uroj që të më lejojnë të rri. Kjo është shtëpia ime. Ky është vendi im”, tha më tej Denada.
Politika e presidentit Donald Trump ndaj emigrantëve është shumë më e ashpër sesa ajo e paraardhësit të tij Obama, e ka vënë në shënjestrën e deportimeve edhe emigrantët e paligjshëm që nuk kanë kryer shkelje apo krime të rënda.