Nënë për herë të dytë? Aktorja e njohur e ‘Portokallisë’ zbulon planet e reja
Aktorja e njohur e “Portokallisë”, Delinda Disha, ishte një nga të ftuarat e Bieta Sulos në studion e “Ftesë në 5” në Top Channel pasditen e sotme. Një prej karaktereve më të spikatur të spektaklit të humorit, veç planeve dhe projekteve të reja në “Portokalli”, ndau me publikun edhe disa sekrete për jetën personale.
Prej dy vjetësh nënë e një djali, Delinda tha se pasi Dasantini erdhi në jetë, gjithçka për të ka ndryshuar. Teksa e sheh të rritet çdo ditë e më shumë, ka nisur të mendojë edhe për t’i dhënë një motër ose një vëlla. Pyetjes së Bietës për këto plane, ajo iu përgjigj: “Sigurisht që mendoj ta bëj Dasantinin me një motër ose një vëlla, por më duket akoma pak herët. Nëse vjen, është i mirëpritur. Janë planet e Zotit. Por mendoj, ndoshta pas një viti.”
Sa i përket anës profesionale, Bieta nuk ngurroi ta pyeste nëse ka pasur probleme me ndonjë nga personazhet që ajo ka imituar në spektaklin “Portokalli” dhe aktorja vijoi me një përgjigje të sinqertë.
“Më vjen keq që mërziten, duhet ta marrin me sportivitet dhe dashamirësi, sepse në njëfarë mënyre ne u bëjmë publicitet të gjithë personazheve që imitojmë”,- u shpreh ajo.
Nga studio, aktorja nuk mund të largohej pa imituar disa personazhe të njohur të televizionit si Alketa Vejsiun, Aurela Gaçen, Dojna Memën, Arbana Osmanin e për surprizë edhe vetë të zonjën e shtëpisë, Bieta Sulon.