Nga Edmond Tupja: Të kam baba, por nuk të dua

Po kështu i thotë herë pas here një shokut tim të ndarë nga e shoqja i biri katër a pesëvjeçar sa herë që ai e takon, sa herë që e përqafon dhe e puth me dashuri, sa herë i sjell dhurata, me mall, me mall të dhimbshëm, të bukur. Kjo nuk ndodh në ndonjë fshat të humbur mes malesh e zakonesh të vrazhda, por në zemër të kryeqytetit shqiptar: “Të kam baba, por nuk të dua”, thënë ndryshe, “Të kam baba, por të urrej”. Kuptohet që këtë urrejtje fëmijës ende të parritur, pra, që nuk është në gjendje të kuptojë e të mendojë me kokën e vet, ia ushqen e ëma, e cila, mund të ketë, por edhe mund të mos ketë arsye për vepruar kështu. Sigurisht, edhe e anasjellta mund të ndodhë: një baba i divorcuar, me të cilin jeton fëmija, mund ta ushqejë të birin me një ndjenjë të tillë për të ëmën, me ose pa arsye.

Gjithsesi, në rastin konkret, kemi të bëjmë me një kushtëzim negativ të fëmijës, çka do të lërë patjetër, siç e dëshmon praktika, gjurmë negative tek ai në marrëdhëniet e tij, kur të jetë rritur, me të atin dhe jo vetëm me të. Zakonisht, te çiftet që ndahen në Shqipëri, krijohet një klimë e tendosur, e rënduar, e ngarkuar me elektricitet negativ jo vetëm midis ish-bashkëshortëve, por edhe midis dy ish-krushqive.

Gjithsesi, këtë dhjetëvjeçarin e fundit, në suazën e emancipimit qytetar të shoqërisë shqiptare, duket sikur diçka ka nisur të ndryshojë, sidomos në kryeqytet: di disa raste kur, pas divorcit, vendoset njëfarë dialogu midis dy ish-bashkëshortëve dhe kjo në të mirë të ekuilibrit shpirtëror të fëmijës; në këto raste, të dy palët përpiqen ta zhdramatizojnë situatën e krijuar në sytë e fëmijës, madje edhe takohen kur ky i fundit ka ditëlindjen apo për festat e fundvitit, për shembull, për të ngrënë një drekë apo për të dalë dyqaneve që t’i blejnë atij lodra, veshje etj.

Ky zhdramatizim, ndonëse fillimisht jo i lehtë, do t’i sjellë frytet e tij ndoshta jo menjëherë, por, pa diskutim, disa vite më vonë, kur fëmija do t’i afrohet momentit të krizës së pashmangshme të adoleshencës, të pjekjes seksuale e të ravijëzimit të parë të personalitetit të tij.

Njoh një rast nga fare pranë kur, i ushqyer dhe i përpunuar pa mëshirë, që në moshë fare të njomë, me urrejtjen për të atin, një djalë ndryshoi pak e nga pak edhe orientimin e tij seksual, çka, me shumë gjasë, nuk do të kishte ndodhur sikur, pas divorcit, e ëma të mos ia kishte neveritur të birit, sistematikisht dhe nga të gjitha pikëpamjet, figurën e babait e, rrjedhimisht, të mashkullit.

Pa asnjë dyshim, kur një fëmijë vjen në jetë, urimi më bukur për të është: “U bëftë njëqind vjeç!”, por ekziston edhe një urim tjetër shumë domethënës: “U rrittë me nënë e me babë!”.

Megjithatë, e drejta e divorcit është një nga fitoret e emancipimit të shoqërisë në përgjithësi dhe të femrës në veçanti, por ajo zhvleftësohet rrezikshëm kur shtyhet, në kundërshtim jo vetëm me çdo logjikë, por edhe me miminumin e domosdoshëm të dhembshurisë njerëzore, deri në zonën e paemërt të urrejtjes për prindin tjetër.

Botuar në revistën Psikologjia 2016

http://revistapsikologji.com/

Share With:
Translate »
449 Views