Nis gjyqi për vrasjen e Martin Canit – Nëna kërkon seanca publike: “Populli të dijë çfarë ndodhi”

Tiranë – Ka nisur në Gjykatën e Tiranës procesi gjyqësor ndaj Mario Përlleshajt, të miturit të akuzuar për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani. Seanca paraprake, e cila ishte planifikuar të zhvillohej këtë të hënë në orën 13:00, u shty për 27 mars, për shkak të mungesës së një dëshmitari kyç, shokut të viktimës që mbeti i plagosur në të njëjtën ngjarje.

Në gjykatë ishin të pranishëm edhe prindërit e Martin Canit, të cilët mbërritën të kapur dorë për dore. Nëna e tij, Florina Cani, kërkoi që gjyqi të zhvillohet me dyer të hapura, në mënyrë që opinioni publik të mësojë të vërtetën.

“Edhe fëmija im të bëhet simbol për fëmijët e tjerë. Mos të ndodhë tek asnjë familje kjo tragjedi që më ndodhi mua”, tha ajo për gazetarët.

Vrasja që tronditi Tiranën

Ngjarja e rëndë ndodhi më 18 nëntor 2024, vetëm 200 metra larg shkollës “Fan Noli”, pas një konflikti mes adoleshentëve, i cili kishte nisur disa ditë më parë brenda ambienteve të shkollës. Sherri mes Martinit dhe Marios nisi në tualetet e shkollës, ku ata u përballën fizikisht, por u ndanë nga roja i sigurisë. Megjithatë, tensioni u rindez pas mësimit, kur dy grupet e adoleshentëve u takuan jashtë shkollës.

Konflikti eskaloi në përplasje fizike, ku Mario Përlleshaj nxori një thikë, duke goditur për vdekje Martin Canin dhe duke plagosur një tjetër bashkëmoshatar. Pas sulmit, edhe vetë i dyshuari u vetëplagos, ndërsa tentoi të fshehë armën e krimit, e cila u gjet disa ditë më vonë nga policia.

Akuzat ndaj të miturit

14-vjeçari Mario Përlleshaj ndodhet në institucionin e të miturve në Kavajë, ku po mbahet nën masën e sigurisë “Arrest në burg”. Ai akuzohet për “vrasje në rrethana cilësuese ndaj një të mituri”, një akuzë e rëndë që mund të sjellë një dënim maksimal për të, pavarësisht moshës së tij.

Seanca e radhës për këtë çështje është caktuar për 27 mars, ora 13:30, ku pritet të dëshmojnë dëshmitarët kryesorë dhe të paraqiten prova të reja për zbardhjen e plotë të ngjarjes që tronditi kryeqytetin.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Share With:
Translate »
31 Views