Një bebe po vjen në shtëpinë e Floriana Garos, moderatorja ia thotë të gjitha Eraldos

Intervistë nga Eraldo Rexho
Kam idenë që kjo është intervista e parë, e gjatë, e Floriana Garos pas lajmit të shtatzënisë në një media të shkruar dhe jam shumë i lumtur që ky rrëfim bëhet në “RevistaWho.Com“, me të cilën Floriana ka ndarë edhe më herët, lajme shumë të rëndësishme nga jeta e saj.

Ishte shtatori i 2017-tës kur ne thurnim plane për këtë kopertinë, por unë atëherë veç thashethemeve nuk kisha asnjë pohim nga goja e saj mbi lajmin e bukur të shtatzënisë. Realizuam intervistën për programin “Lart e Poshtë” dhe kur u ndamë premtuam se ‘do të ishim në kontakt kur të vinte momenti’. Momenti erdhi dhe me të dalë lajmi, unë nxitova për t’i kujtuar Florianës premtimin e bërë…  Ndonëse m’u duk ‘një jetë’ koha që mori realizimi i kësaj kopertine, kjo edhe për shkak të jetës së saj të re në Gjenevë, – unë jam shumë i lumtur sot që përmes kësaj interviste dhe këtij seti fotosh plot diell do të shuajmë disa nga kuriozitet e mia dhe të të gjithëve atyre që na lexojnë.

Floriana Garo rrëfen për herë të parë në ‘RevistaWho.Com’ muajt më të bukur të jetës, që siç thotë edhe ajo ndonëse nuk janë shumë glamour, janë më emocionuesit që ka provuar ndonjëherë. Ndaj nuk po ju marr më shumë kohë, duke ju ftuar të merrni më poshtë përgjigjet e pyetjeve që çdonjëri prej jush do donte t’ia bënte Florianës…

Floriana, cilat janë përjetimet e këtyre ditëve?

Këto ditë po e ndjej tamam rëndesën e shtatzënisë. Mezi vesh çorapet dhe këpucët, lodhem shpejt kur eci dhe nuk qëndroj dot gjatë edhe e ulur në karrige. Kam siklete nga më të ndryshmet dhe shpërthime hormonale të çuditshme. Nuk tingëllon si diçka shumë e ëmbël dhe glamour sepse nuk është, por tani lëvizjet e bebes më japin më shume emocion se kurdoherë më parë dhe kam filluar ta përfytyroj si do jetë jeta ime dhe e tim shoqi bashkë me të.

Pse e fshehe muajt e parë shtatzëninë?

Sepse jam supersticioze (buzëqesh)… Sepse mendoja që gjithçka mund të ndodhte në muajt e parë dhe doja të isha e qetë, jashtë vëmendjes së njerëzve për këtë rast. Doja ta kuptoja dhe ta pranoja si fillim vetë dhe më pas me njerëzit e mi të afërt, e më pas edhe me të tjerët.

Kujt ia the në fillim, sapo e mësove?

Mamit. Ajo pastaj ia tha babit. Të dy u lumturuan shumë. Kanë dashur gjithmonë që unë të bëhesha nënë dhe të kisha një familje timen. Ata më kanë mësuar që fëmijët janë boshti dhe kuptimi i jetës.

Çfarë tha Enisi kur ia dhe lajmin?

Enisi u lumturua shumë. Ishte emocion i madh për të dy, edhe pse akoma ndonjëherë na duket e pabesueshme. Të dy e duam një familje të madhe.

Po prindërit Enisit si reaguan kur e mësuan?

Nënës së Enisit ia kam thënë vetë e para dhe ajo u emocionua aq shumë që do bëhej gjyshe sa madje edhe u përlot. Po hanim mëngjes bashkë në Shqipëri, ditën që do shpërngulesha në Zvicër dhe gëzimi i saj më bëri edhe mua shend e verë.

Ç’marrëdhënie ke ti me prindërit e Enisit, veçanërisht me vjehrrën?

Marrëdhëniet me vjehrrat gjithmonë janë delikate sidomos në fillim. Por çdo nënë do më të mirën për djalin e saj. Një grua e zgjuar e vlerëson një nuse që e bën djalin e vet të lumtur dhe i lë çiftit hapësirën e nevojshme për ta ndërtuar më së miri marrëdhënien. Unë dhe nëna e Enisit kuptohemi shumë mirë për këtë dhe jemi të afërta si të ishim mikesha. Ajo është ende shumë e re dhe ne mund të flasim lirshëm me njëra-tjetrën. Jam e bindur se lidhja jonë e afërt do vazhdojë të thellohet akoma më shumë me kohën.

Thonë se shtatzënia i ndryshon zonjat, çfarë ka ndryshuar tek ty? Ka ndryshuar mendimi i parë dhe i fundit i ditës?

Mua shtatzënia më ka ndryshuar fizikisht sigurisht, por ende jo kaq shumë shpirtërisht. Une e kam thënë shpesh që jetoj në të tashmen dhe e jetoj çdo moment për atë që është. Nuk jam natyrë ëndërrimtare. Kur bebja të vijë në jetë, sigurisht gjithçka do ndryshojë po tani jam po prapë unë, teksa përjetoj gjithë ndryshimet e kësaj jetës sime të re në Zvicër, me punët që kemi këtu dhe me përshtatjen në një ambient të ri.

Do vijë nëna jote ose e tij të të ndihmojë gjatë muajve të parë?

Po, prindërit e mi do vijnë nga Amerika të qëndrojnë disa kohë me mua. Duke qenë se është mjeke gjinekologe, prezenca e mamit tim do të më qetësojë shumë. Pastaj më ka marrë malli për ta, mezi po i pres. Edhe mamaja e Enisit sigurisht që do jetë prezente.

E ke menduar të vish në Shqipëri pas lindjes?

Nëse gjithçka është mirë, me shumë kënaqësi. Në fakt në jug të Shqipërisë dua t’i bëj pushimet këtë vit. Edhe vajza të përfitojë nga ajri i detit. Mua prindërit e mi më kanë mësuar me plazhin që shumë të vogël; të njëjtën gjë dua të bëj edhe unë me vajzën time.

E ëndërroje këtë moment, që e vogël?

Nuk mund të them që kam guxuar ta mendoj kaq shumë. Akoma nuk e përfytyroj shumë qartë, pasi më mirë ta përjetoj realitetin kur të ndodhë.

Si i perjetove ndryshimet e trupit?

Me siklet. Mundohem të kujdesem sa më shumë duke e lyer lëkurën me krem dhe duke ngrënë shumë fruta, po për fat të keq ha shumë nga gjithçka.  Brumrat janë pika ime e dobët edhe pse nuk më bëjnë mirë.

Ke pasur neps?

Jo ndonjë neps të veçantë.

/Nga Eraldo Rexho – Revista Who

Share With:
Translate »
701 Views