Një fëmijë me autizëm shton rrezikun për të dytin, Kika: Djemtë preken më shumë se vajzat

Një shqetësim që është shprehur shpesh nga prindërit që kanë fëmijë me spektrin e autizmit, janë vaksinat. Sipas tyre, kanë vënë re shenjat e autizmit te fëmija pas kryerjes së një vaksine.

Neuropediatrja Migena Kika sqaron në “Shije Shtëpie” në Tv Klan se vaksinat janë një faktor rreziku neutral për autizmin sepse as nuk e ulin dhe as nuk e ngrenë prevalencën. Faktorët e vërtetë të rrezikut janë të paturit e një fëmije tjetër me autizëm, gjinia e tij, mosha e prindërve dhe distanca kohore mes shtatzënive.

Migena Kika: Është një nga faktorët e rrezikut madhor fakti që familja ka një fëmijë me autizëm. Nëse familja ka një fëmijë me autizëm, probabiliteti për të shfaqur çrregullime në popullatë është diku te 1-2%, po marrim shifrat që i referohen OBSH-së, probabailiteti për të zhvilluar që fëmija i dytë të ketë autizëm është 8-10% në varësi të evidencave, studimeve që i referohesh. Pra, 8-10 herë më i lartë se sa nëse nuk ke asnjë fëmijë me autizëm. Faktor rreziku madhor është të pasurit e një fëmije me autizëm. Më  përpara mendohej që nëse fëmija i parë do të ishte djalë, rreziku i fëmijës së dytë do të ishte më i madh. Në fakt, studimet e fundit, evidencat e fundit kanë parë që fëmija i dytë djalë i një motre më të madhe me autizëm ka rrezik më të madh. Sido që të jetë, këto rreziqe janë pak a shumë të kalkuluara.

Agida Koçi: Edhe më herët doktoreshë, thatë 4 në 100 fëmijë djem rezultojnë me autizëm nga një vajzë.

Migena Kika: Po, faktor tjetër rreziku madhor janë djemtë. Nuk i dimë edhe për këtë shkaqet. Dimë që djemtë preken 3-5 herë më shumë se vajzat nga çrregullimi i spektrumit. Më përpara mendohej që nuk kishte dallime për sa i përket racave, pra autizmi të prekte të gjitha racat, të gjitha grupet socio-ekonomike pa ndonjë lloj diference. Ndërkohë, pavarëissht se me ndryshime pak a shumë jo të mëdha, tani është parë që fëmijët e racës së bardhë të kenë një probabilitet pak më të shtuar, pak më të lartë për t’u prekur nga çrregullimet e spektrumit sesa individët e racave të tjera. Pra faktor rreziku madhor është të kesh një fëmijë me autizëm.

Katerina Trungu: Mosha e prindërve përbën rrezik?

Migena Kika: Po, është një faktor rreziku madhor. Pra, ka një numër shumë të madh faktorësh rreziku, por faktori i dytë i rrezikut madhor është mosha e prindërve dhe mosha e prindërve, këtu flas jo vetëm mosha e nënës sepse në pjesën më të madhe të çrregullimeve apo sëmundshmërisë është mosha e nënës ajo që luan rolin kryesor, jo. Në çrregullimet e autizmit luajnë një rol të rëndësishëm mosha e të dy prindërve, mosha shumë e re e nënës apo mosha shumë e madhe e nënës në momentin e ngjizjes, konceptimit apo lindjes së fëmijëve dhe mosha shumë e madhe e babait.

Katerina Trungu: Cila është mosha shumë e re dhe shumë e madhe?

Migena Kika: Rreziku është shumë i lartë nëse nëna ka një bebe dhe ka një fëmijë përpara moshës 21 vjeç dhe mbi moshën 35 vjeç. Pra idealja për nënat do të ishte mosha 21-35. Brenda kësaj moshe duhet t’i bëjmë fëmijët. Fëmijët me një diferencë jo më pak se 1 vit njëri nga tjetri. Pra shtatzënitë ideale do të ishin diku te 4-5 vite distancë njëra nga tjetra dhe jo më pak se sa 1 vit. Pra nëse ti ke një shtatzëni dhe brenda një viti vjen edhe shtatzënia tjetër, rreziku rritet.

Share With:
Translate »
74 Views