Një traumë nga fëmijëria, Visjan Ukcenaj: Mendova se do humbisja vëllain – ishte vetëm 10 vjeç
Aktori i njohur Visjan Ukcenaj ka ndarë një nga rrëfimet më të ndjera dhe personale gjatë një interviste në emisionin “Hipokrati”, ku ka folur për përvojat e tij më të vështira në spitale – që nga fëmijëria deri në ditët e sotme.
Një nga momentet më prekëse të rrëfimit ishte ai i vitit 1997, kur Visjani ishte vetëm 10 vjeç. Ai kujton me emocion kohën kur familja u përball me frikën e një diagnoze dramatike për vëllain e tij.
“Vëllai im kishte një ënjtje të madhe në sy. Ishte viti 1997, ishte një traumë e vërtetë… isha vetëm 10 vjeç,” – tregon aktori.
Mjekët e parë që panë gjendjen e vëllait të tij dyshuan për një sëmundje të rëndë, madje për kancer. Por nëna e Visjanit vendosi të kërkojë një mendim të dytë, që do të rezultonte vendimtar për fatin e familjes.

“Mami tha të shkojmë te një mjek tjetër. Ishte një periudhë e vështirë – mbaj mend spitalin në ‘97, kërcisnin gëzhojat mbi çati, kalonin të plagosur dhe të vrarë… një atmosferë e frikshme,” – kujton ai.
Pas kontrolleve të mëtejshme, mjeku i dytë dha një diagnozë krejt tjetër: nuk ishte kancer, por bllokim i kanalit të lotit, një gjendje që kërkonte ndërhyrje kirurgjikale, por jo e rrezikshme për jetën.
“Operacioni ishte një çlirim për ne,” – tha Visjani, duke theksuar edhe rëndësinë e diagnozës së saktë dhe kujdesin për të mos nxjerrë përfundime të shpejta në raste të tilla.
“Shumë njerëz ndodhen në situata të ngjashme, marrin përgjigje të gabuar për një diagnozë që nuk është e vërtetë. Ndaj asnjëherë nuk duhet të nxitohemi,” përfundon ai.