Nuk pranon sëmundjen e vajzës, babai vret dy fëmijët dhe më pas vetëvritet
Një tragjedi familjare ka tronditur sot komunën Esperia në provincën Frusinate të Italisë. Gianni Paliotta, një ish-punonjës i hekurudhës në pension, ka vrarë me armë zjarri dy fëmijët e tij 25 dhe 18 vjeç dhe më pas ka qëlluar dhe veten.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 7 të mëngjesit në shtëpinë e familjes së 65-vjeçarit. Mësohet se gruaja e pensionistit nuk ndodhej në shtëpi.
Mbeten ende të paqarta arsyet e vrasjes së dyfishtë dhe vetëvrasjes por duket se pensionisti nuk e kishte pranuar dot sëmundjen e vajzës Isabella, e cila vuante nga një sëmundje veshkash.
Gianni Paliotta vrau me armë djalin Mariano dhe vajzën Isabella, ndërsa ata flinin ende në shtrat. Ai i qëlloi me një pistoletë të kalibrit 22, të cilën e mbante me leje.
Më pas, me të njëjtën armë qëlloi për vdekje dhe veten.E shoqja e tij, e cila kishte dalë për të shkuar në zyrën postare, e mësoi tragjedinë sapo u kthye në shtëpi.