OBSH ngre alarmin: Mbi 300 fëmijë vdesin nga shurupi i kollës!
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë thirrje që të veprohet menjëherë për të mbrojtur fëmijët nga ilaçet e kontaminuara pasi mbi 300 fëmijë humbën jetën pasi pinë shurupin e kollës.
OBSH-ja deklaroi se në vitin 2022, më shumë se 300 fëmijë, kryesisht të moshës nën 5 vjeç, në Gambi, Indonezi dhe Uzbekistan vdiqën nga dëmtimi akut i veshkave, e ardhur si pasojë e ilaçeve të kontaminuara, shkruan dritare.net
“Këta ndotës janë kimikate toksike që përdoren si tretës industrialë dhe agjentë antifriz që mund të jenë fatale edhe nëse merren në sasi të vogla dhe nuk duhet të gjenden kurrë në ilaçe.”, tha OBSH-ja informon dritare.net
OBSH-ja u shpreh për Reuters se jo vvetëm vendet e sipërpërmendura, por edhe Filipinet, Timor Leste, Senegali dhe Kamboxhia mund të ndikohen sepse kanë nxjerrë në shitje këto ilaçe. Organizata u bëri thirrje për veprim 194 shteteve anëtare për të parandaluar më shumë vdekje.
“Meqenëse këto nuk janë incidente të izoluara, OBSH-ja u bën thirrje palëve të ndryshme të përfshira në zinxhirin e furnizimit mjekësor të ndërmarrin veprime të menjëhershme dhe të koordinuara.”, tha OBSH-ja.
OBSH kërkoi në tetor të vitit të kaluar që të hiqen nga raftet e farmacive shurupet e kollës të prodhuara nga Maiden Pharmaceuticals dhe Marion Biotech e Indisë, të cilat kanë shkaktuar vdekjet e fëmijëve në Gambi dhe Uzbekistan. Po ashtu lëshoi një paralajmërim edhe për shurupet e kollës të prodhuara nga katër prodhues indonezianë, PT Yarindo Farmatama, PT Universal Pharmaceutical, PT Konimex dhe PT AFI Pharma, që shiteshin brenda vendit. Kompanitë e përfshira ose kanë mohuar që produktet e tyre janë kontaminuar ose kanë refuzuar të komentojnë ndërkohë që hetimet janë në vazhdim./K.C/dritare.net