Pandemia e COVID-19, si ndikoi në shëndetin seksual të të rinjve dhe pasojat që solli izolimi

Pandemia e COVID-19 ndryshoi mënyrën e të jetuarit për të gjithë qytetarët. Pasojat psikologjike dhe seksuale janë tashmë objekt i një sërë studimesh në të gjithë botën. Distancimi social ishte i nevojshëm dhe një nga masat më shtrënguese, duke sjellë pasoja më pas në shëndetin seksual të të rinjve dhe jo vetëm të kësaj kategorie.

Izolimi, qëndrimi në shtëpi dhe kalimi i një kohe të gjatë në internet përmes smartfonëve, i ekspozoi të rinjtë në një informacion të pakontrolluar drejt seksualitetit. Fakt është që pandemia Covid -19 krijoi në vetvete dhe një pandemi tjetër “pandeminë online”.

Të gjendur në këtë situatë, shpesh të rinjtë drejtohen aty ku mund të gjesh përgjigje për çfarëdo, por pa përjashtuar informacionet jo të sakta dhe shqetësuese, konkretisht në motorët e kërkimit në Internet.

Duke marrë parasysh të gjitha këto, Qendra Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin (QShPZh) bëri bashkë ekspertët e fushës në Konferencën Kombëtare ku u prezantuan gjetjet e studimit rajonal me temë“Aksesi i të rinjve në shërbime, informacion dhe edukim për shëndetin seksual dhe riprodhues gjatë pandemisë së COVID-19”, projekt i koordinuar në nivel rajonal nga Federata Ndërkombëtare e Planifikimit Familjar, Rrjeti Europian dhe zbatuar nga 5 vende të Ballkanit (Shqipëri, Kosovë, Maqedonia e Veriut, Bosnjë Hercegovina dhe Bullgaria).

Mira Rakacolli, Zv.Ministre e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale tha se “brenda paketës bazë të kujdesit shëndetësor përfshihet ofrimi i shërbimeve të shëndetit seksual dhe riprodhues si dhe procesi i vaksinimit falas për vaksinën e HPV për vajzat nën moshën 13 vjeç, që pritet të fillojë së shpejti”.

Nina Guga, Zv/Ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR) u ndal në “mundësimin e edukimit seksual gjithëpërfshirës në arsimin para-universitar dhe rolin që mësuesi ka patur kryesisht gjatë pandemisë së Covid-19”.

Ndërsa Klodiana Spahiu, Nën/Kryetare e Komisionit për Shëndetësinë dhe Çështjet Sociale foli rreth bashkëpunimit ndër-institucional, “bashkëpunimi me qendrat komunitare dhe njësitë vendore ku nuk duhet neglizhuar vazhdimësia e përcjelljes së informacionit masiv në komunitet, me fokus tek të rinjtë.

Qendra Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin është një ndër të parat qendër që trajtojnë një tematikë të tillë të ndjeshme për të rinjtë si shëndeti seksual dhe riprodhues me qëllim që të rinjtë të informohen dhe jetojnë shëndetshëm në sigurinë e aktivitetit seksual. Drejtorja ekzekutive e kësaj qendre Elona Gjebrea, solli në vëmendje dhe median, si një shtyllë kryesore për komunikimin dhe përcjelljen e informacioneve tek audienca. Për më tepër, u theksua rëndësia për të komunikuar me të rinjtë në shkolla për këto tema apo dhe prindërit për të folur hapur me të fëmijët e tyre.

Sugjerimet nga kjo konferencë kombëtare lidhet me aksesi dhe shërbimet shëndetësore të mos mungojnë dhe të ofrohen sidomos në kategoritë në nevojë si ato rome dhe egjiptiane. Të shtrihet me gjerësisht roli edukues seksual i fëmijëve në shkolla. Të ndërgjegjësohen të rinjtë dhe prindërit e tyre se përveç një pandemie globale fizike e mendore, tashmë ka dhe një “pandemi online” që duhet të trajtohet me prioritet.

Ndërkohë nga përfaqësues të institucioneve u konstatua se ka nisur bashkëpunimi i Parlamentit me Shoqërinë Civile dhe kushdo mund të bashkohet si dhe po punohet që strategjitë e reja të përfshijnë module të veçanta që do t’u vijnë në ndihmë edhe të rinjve me aftësi të kufizuara.

Share With:
Translate »
23 Views