Pas apelit të nënës me 8 jetimë, sot gëzojnë shtëpinë e transformuar | Video

Ekipi i emisionit “Shqiptarët për Shqiptarët” në News24 udhëtoi sërish në Malishevë të Kosovës, në shtëpinë e zonjës Ajete Gegaj, aty ku varfëria, dëshpërimi dhe mungesa e shpresës, kishin “kapur për fyti” gjithë familjen, nënën dhe 8 fëmijët e saj. Por këtë herë ndryshe nga një javë më parë, sytë e tyre qeshin, fytyrat kanë një gëzim që iu lexohet lehtë. Për një javë shtëpia e familjes Gega u transformua plotësisht saqë as anëtarët e saj nuk e besonin se është shtëpia e tyre. Tashmë ata kanë shtretër të ngrohtë, ku ta bëjnë gjumin më të rehatshëm.

 

“E thirra çikën dhe i thashë, a jemi po në atë shtëpi apo jo? Po moj nënë këtu jemi më tha. Por po më duket sikur s’jam aty i thashë, më dukej krejt ndryshe, u habita”, tregon Ajetja.

“S’mundesha ta paramendoja që do bëhej kështu, më dukej vetja si në ëndërr. Si me qënë fjetë, a me u zgju prej ëndrrës apo çfarë jam duke bërë, a janë përnjimen këto që po shoh, a janë realitet?”, shprehet e emocionuar Hyra, vajza e madhe. Menjëherë pas publikimit të halleve të familjes Gega në emisionin “Shqiptarët për shqiptarët” ka pasur reagime e telefonata të shumta nga të gjitha trevat shqiptare, të cilët kërkonin të ndihmonin këtë familje.

Fondacioni ‘Firdeus’, menjëherë e ka transferuar familjen në një ambient me qera për disa dite për të filluar punimet dhe kur familja u kthye, e gjeti shtëpinë të transformuar, me të gjitha orenditë e nevojshme për një jetë normale, gjë që ende nuk arrijnë ta besojnë.

“Kanë ardhur nga të gjitha anët, sapo e kanë marrë vesh, shumë kanë trokitur në derë. Shumë jemi gëzuar e prej asaj dite po më duket se edhe trupi s’më dhemb më, tani s’jam më sëmurë”- tregon nënë Ajetja.

shqiptaret per shqiptaret shtepia e ne malisheve

Tashmë dëshira e fëmijëve të rritur është të punojnë. Shkodrani, djali i madh, do një punë që të mbajë familjen, pasi shtëpinë tashmë e ka. “Tash e kam shtëpinë, tash me gjet një vend punë me punu dikund- thotë Shkodrani. Dy fëmijët e mëdhenj të familjes Gega në Malishevë do fillojnë punë.

“Gjithë kam pas qejf të takoj njerëz të Shqipnisë dhe i takova. Kisha pas qejf me takuar edhe Elvis Naçin, që na bëri në këtë ditë që më mirë s’ka ku me shku”- thotë Ajetja.
elvis naci ne malisheve
Elvis Naçi, vjen në shtëpinë e re të familjes Gega me një tjetër surpizë.

“Shtëpia nuk është fundi por vetëm fillimi, duke rregulluar edhe fëmijët, rregullohen të gjitha… Ju mos u mërzisni më, ne do të na keni pranë”- u shpreh Elvis Naçi.

Ai iu premtoi punë dy më të mëdhenjëve prej fëmijëve, Shkodranit dhe Hyrës. Nëpërmjet një telefonate që bëri me një biznesmen, Naçi mori premtimin e tij se do t’i sigurojë një punë Shkodranit. Nënë Ajetja nuk i përmban dot lotët nga kënaqësia dhe gëzimi. Dy biznesmenë në Prishtinë dhe dy të tjerë në Gjermani janë ofruar për t’iu siguruar një punë fëmijëve më të rritur familjes Gega, duke iu mundësuar atyre të fillojnë një jetë krejt ndryshe, me plotësimin e ëndrrës së tyre të kahershme.

Share With:
Translate »
995 Views