Pas fitores ndaj kancerit, daja Dëfrim Met’hasani ka një ëndërr tjetër për Ambrën

Rasti i Ambra Medës, e cila u diagnostikua me kancer disa vite më parë, ishte tema kryesore e rrjeteve sociale. Njerëz të njohur e të panjohur u bënë një zë i vetëm për të ndihmuar Ambrën që për asnjë moment nuk iu dorëzua sëmundjes së rëndë, edhe pse, si fillim, mjekët i dhanë vetëm tri ditë jetë. Adoleshentja në atë kohë postonte video të ndryshme edhe duke treguar efektet anësore të kimioterapisë, por kurrë nuk hoqi dorë nga besimi se do të rikthehej.

Rasti i saj preku zemrat e shumë shqiptarëve, që vazhdonin t’i dërgonin mesazhe mbështetjeje dhe inkurajimi. Pas kurimit në Gjermani, Ambra ia doli dhe u kthye shëndoshë e mirë, kokëlartë dhe me fitore për jetën.

Kanë kaluar disa vite që nga ajo kohë, por asgjë nuk është shuar nga kujtimet. Aq më tepër, mirënjohja. E ftuar sot në “Pasdite në Top Channel”, Ambra, së bashku me dajën e saj, komentatorin e njohur, Dëfrim Methasani, tha se mbështetja e tij ishte mbështetja më e madhe, edhe falë aksesit që kishte në media – gjë që i mundësoi shumën e nevojshme për kurimin e saj. “Po të mos ishte daja, nuk do isha këtu”,- tha Ambra.

Ndërsa komentatori Methasani, si një baba vajzash, edhe Ambrën e ka si bijën e vet. Sot, ai është i lumtur për betejën që fitoi mbesa e tij dhe tregon se shumë të tjerë nga ky rast kanë marrë një mësim – njerëzit në nevojë nuk duhen lënë të vetëm, pasi janë të dobët para këtyre rasteve: “Duhet të jemi shumë njerëz bashkë për ta përballuar. Qe një mësim për të qenë akoma edhe më pranë njerëzve në nevojë. Kur jemi shumë, jemi edhe më të fortë për ta përballuar”,- tha Methasani duke theksuar edhe se është shumë i lumtur që mbesa e tij nuk harron të jetë mirënjohëse për të gjithë ata që e kanë mbështetur.

Dhe, si çdo dajë, nuk e lë mënjanë porosinë, ëndrrën në fakt: “Tani për Ambrën kam një ëndërr të dytë. Dua ta shoh nuse…” – tha ai i emocionuar.

Share With:
Translate »
1253 Views