Pengmarrja e fëmijëve/ Nëna e të miturve: Nuk i mori peng, Aleksi na dhunonte psikologjikisht dhe jo fizikisht

Bardha Marku, nëna e 2 fëmijëve të mitur që u morën peng nga bashkëshorti i saj, Aleks Marku, thotë se nuk ka qenë në banesë momentin kur 40-vjeçari terrorizoi banorët e zonës së plazhit, në afërsi të Shkëmbit të Kavajës në Durrës, duke qëlluar herë pas here me kallashnikov.

Marku shprehet se mbrëmjen e djeshme ka qenë tek familja e saj pasi ishte kthyer nga Italia, ku kishte qëndruar një javë për disa dokumente që i nevojiteshin për fëmijët për shkak se ishin kthyer për të jetuar në Durrës teksa sqaron se me 40-vjeçarin nuk kanë qenë të ndarë. Ajo ka thënë se Aleks Marku nuk e ka dhunuar fizikisht, por vetëm psikologjikisht dhe shton se ai nuk i ka marrë peng fëmijët e tyre.

Për dyshimet se Aleks Marku mund të ketë qenë nën efektin e lëndëve narkotike, Bardha thotë se ai nuk ka konsumuar ndonjëherë drogë në prani të saj apo fëmijëve, por një gjë të tillë nuk e hedh poshtë duke thënë: Edhe mund ta ketë konsumuar sepse nervoz ishte.

Prononcimi për mediat i Bardha Markut:

Bardha MarkuUnë e mora vesh se më ka marrë Policia e Durrësit sot në mëngjes ngaqë unë kam ardhur mbrëmë nga Italia, nga ora 2 dhe kam ikur nga familja e prindërve sepse thashë që po të vija unë, ai ishte me nerva me mua dhe do u nervozonte situata më shumë, të mos vija në rrezik fëmijët. Dhe kisha vendosur që të vija të nesërmen dhe t’i thoja që “Aleks a do të m’i sjellësh fëmijët vetë me komunikim të rregullt apo që të marrim policinë. Në atë mëngjes më ka marrë policia dhe më ka thënë “hajde se janë fëmija tek komisariati i Durrësit”. E para është shyqyr që më kanë shpëtuar fëmijët. Unë kam qenë 1 javë në Itali me miratimin e Aleksit. Nuk kemi qenë të ndarë, konflikte të vogla po, por të ndarë jo. Në Itali kam shkuar se kam pasur të gjitha dokumentet e fëmijëve ngaqë i kam pasur fëmijët në Itali. Vaksinat m’u deshën tek shkolla e Durrësit sepse m’i kërkonin djalit të vogël. Tani do të kthehemi në Lezhë sepse kemi shtëpinë dhe do fus dhe fëmijët në shkollë në Lezhë.

Pyetje: Sa i dhunshëm ishte bashkëshorti juaj sepse ju keni bërë 2 denoncime në Lezhë?

Bardha Marku: Ato ishin ngaqë kohët e fundit pinte gjëra kështu dhe kishim frikë duke dëgjuar lajmet e kështu edhe nga frika kam ikur dhe kam bërë denoncimin se kam menduar se do të ndodhte ndonjë gjë. Vetëm na dhunonte psikologjikisht sepse fizikisht jo.

Pyetje: Si është gjendja e fëmijëve pas ngjarjes?

Bardha Marku: Mirë, kanë pushuar pak. Për të ngrënë kanë ngrënë e për momentin janë mirë. Po na ofrohet ndihmë edhe nga psikologë, kanë qenë 2 sot.

Pyetje: Ju pse u larguat nga Italia?

Bardha Marku: Ne u larguam nga problemet sepse u bërë këtu, u bë dhe atje.

Pyetje: Dhe ju vendosët të jetonit në Durrës.

Bardha Marku: Po vendosëm të jetonim në Durrës dhe të bënim jetën normale. 2 javë e gjysëm nuk ka më që kemi ardhur në Durrës. Nuk ka konsumuar alkool dhe lëndë narkotike në sytë tanë.

Pyetje: Po natën e kaluar sepse policia dyshon që ka konsumuar lëndë narkotike në prani të fëmijëve?

Bardha MarkuEdhe mund ta ketë konsumuar sepse nervoz ishte.

Pyetje: Kur ju ishit në Itali, a komunikonit me fëmijët në telefon?

Bardha Marku: Shumë pak dhe fare, 2 ditët e fundit fare. Nuk i nxirrte dhe as nuk tregonte vendin ku është sepse kishte frikë.

Pyetje: Pse i mori peng fëmijët?

Bardha Marku: Jo, peng nuk i ka peng sepse fëmijëve ju ka bërë qefin, me dalë, me kështu. Nuk i ka marrë peng.

Share With:
Translate »
57 Views