Përrallat: Dhe ata jetuan të palumtur përgjithmonë

Përrallat mund t’ju kenë bërë të besoni se çdo princeshë merr një fund të lumtur, por një fotografe godet fantazinë e kujtdo duke e çuar akoma më larg.

“Princeshat e rëna”, një projekt nga fotografja Dina Goldstein, tregon për postpërrallën e Borëbardhës, Xhazminës, Pokahontasit dhe personazheve të tjera të përrallave që pësojnë fate tragjike.

Që nga kanceri, alkoolizmi dhe deri te martesat e palumtura, krijuesja ka vendosur të japë anën moderne të përrallave shumëvjeçare.

“Seria e princeshave të mia të rëna, lindi nga dhembja ime personale, kur u ngrita kundër lajtmotivit të përrallave ‘përgjithnjë të lumtur’, me të cilin na kanë ushqyer që nga lindja”, shpjegon fotografja Dina Goldstein.

Ajo u frymëzua të krijonte serinë e fotografive, kur vajza e saj pyeti për herë të parë për princeshat dhe kur nëna e saj u diagnostikua me kancer shumë shpejt pas kësaj.

Fotografja Dina Goldstein filloi të imagjinonte se çfarë do të ndodhte me një princeshë në jetën e vërtetë nëse do t’i duhej të luftonte me një sëmundje, me vështirësitë financiare apo të përballej me plakjen.

Rapunzeli

Ideja e parë që i lindi ishte të përshkruante një Rapunzel, e cila i kishte humbur të gjitha flokët prej kimioterapisë që lufton kancerin.

Kështu ajo e bëri fotografinë, që tregon Rapunzelin të trishtuar duke mbajtur në dorë flokët e rënë, në dhomën e një spitali aspak përrallor.

Hirushja

Fati i keq i Hirushes është se ajo qëndron e ulur në një bar të mbushur me burra që po e vështrojnë. Në dorë mban një gotë me alkool dhe koka i qëndron e ulur sikur të mund të mos e mbajë më pijen.

Kësulëkuqja

Kemi pamjen moderne të Kësulëkuqes së vogël, që tani është zmadhuar, sepse mesa duket petullat e gjyshes i kanë pëlqyer pak si shumë. Ajo tregon për epideminë e obezitetit që po kaplon këdo.

Kësulëkuqja është fotografuar në pyll duke rrufitur një pije dhe me shportën e mbushur me ushqime fast food-i; të kuptohet që i ka të gjitha për vete.

Borëbardha

Çfarë ndodhi pas puthjes së largimit të helmit të mollës nga princi i kaltër? Epo Borëbardha u martua dhe lindi katër fëmijë. Në fotografi ajo tregohet me pamje të shkretë duke mbajtur dy fëmijë në krah dhe një tjetër që e tërheq prej fustani.

Mesa duket ajo ka rënë viktimë e një martese të palumtur, meqë princi i kaltër duket në sfond duke parë televizor dhe duke pirë një birrë, në vend që të ndihmojë me fëmijët.

E Bukura dhe Bisha

Përralla e së Bukurës dhe Bishës nuk mbaroi me aq. E Bukura do të bëhet akoma më e bukur dhe cila është mënyra më e mirë për t’u zbukuruar sot? Operacionet plastike.

Fotografja Dina Goldstein e ka vënë të Bukurën në duart e kirurgëve plastikë, që ata t’i frynë buzët, t’i ngrenë vetullat dhe t’i rregullojnë rrudhat e moshës.

Princesha mbi bizele

Seria e fotografive është marrë në vende të ndryshme në qytetin e Vankuverit. Në foton e Princeshës mbi bizele, tregohet ajo e hipur mbi shumë dyshekë në një sfond plot plehra. Fotografja ka dashur të tërheqë vëmendjen për ndotjen mjedisore.

Pokahontas

Në historinë klasike të Diznejit, Pokahontas e gjen dashurinë te koloni britanik John Smith. Por në historinë e fotografes Goldstein, ajo sheh televizor e vetme në një dhomë të errët, e rrethuar vetëm nga kafshët e saj të pyllit.

Xhazmina e Aladinit

E dashura e ëmbël e Aladinit përshkruhet si një luftëtare moderne që mban në duar një armë të fuqishme në mes të një zone lufte. Kjo është një foto e diskutueshme, sepse e përshkruan princeshën si terroriste.

Fotografja shfajësohet duke thënë se Princesha Xhazmin e saj është një luftëtare që lufton në vijën e parë, ashtu si shumë femra të tjera në Irak sot.

Dina shpreson që fotot e saj të ngacmojnë emocione tek ata që do t’i shohin. Seritë e fotografive i detyrojnë shikuesit që të krahasojnë jetën reale me përrallat.

Bukuroshja e fjetur

Nga përralla e Bukuroshes së fjetur ka mbetur vetëm princi në një shtëpi për të moshuar, që po pret që pas shumë vitesh e dashura e tij të zgjohet. Nga ana tjetër, Bukuroshja e Fjetur e shtrirë në një shtrat, paraqitet e re, ndërsa mosha ka rënduar e gjitha mbi princin.

Arieli

Sirena me zërin e mrekullueshëm që dashurohet me një të mbijetuar nga një stuhi, duket se në kohët moderne ka rënë pre e njeriut. Ashtu si shumë krijesa të tjera të detit, ajo është marrë dhe ekspozohet në akuariumet e mëdha për vizitorë.

      

 

Share With:
Translate »
1774 Views