Përse fëmijët e fusin gishtin në gojë?

Thithja e gishtit është diçka normale tek fëmijët e vegjël dhe e ka origjinën që në muajin e pestë të fetusit. Fetusi “ushtrohet” për t’u përgatitur për thithjen e gjirit. Pra, thithja e gishtit është një instikt i lindur dhe jo një zakon i fituar.
Në rastin kur gjidhënia ka shkuar mbarë, fëmija nuk ka nevojë që të vetëkënaqë dëshirat duke thithur gishtin. Por edhe nëse ndodh që të mbajë gishtin në gojë është plotësisht diçka normale dhe do të zhduket me kalimin e kohës deri në moshën 3 ose 4 vjeç.
Disa foshnje, pasi kanë qarë, e fusin gishtin në gojë për të qetësuar veten ose kur dëgjojnë ndonjë përrallë para gjumit që të flenë më qetë.
Megjithatë, ka dhe raste që ky gjest vazhdon deri dhe në moshën e shkollës.
Atëherë fillon të bëhet diçka jo normale dhe duhet ndërhyrë me metoda edukuese, por jo traumatizuese; si gishti me spec apo me bojë të kuqe.
Mbi të gjitha duhet kuptuar se nuk mund t’i heqësh fëmijës një fiksim pa ja zëvendësuar atë me diçka tjetër. Disa mënyra mund të jenë një gotë qumësht me pak mjaltë apo kamomil në mbrëmje para gjumit. Mund të jetë leximi i një përralle, thithja e një fruti mbështjellur me një beze, mbajtja e një lodre pellushi apo përkëdhelje para gjumit.
Gjithashtu, mund t’i kërkoni që t’ju ndihmojë për të rregulluar dhomën e vet apo të mbledhë lodrat e veta, të përgatisë çantën për kopsht duke i dhënë mesazhe të llojit: “tashmë je aq i rritur për gishtin në gojë saqë ke filluar të jesh i pavarur dhe të ndihmosh mamin me punët për të mëdhenjtë!”

Share With:
Translate »
493 Views