Plagosja e kryebashkiakes gjermane po hetohet si krim në familje. Të akuzuar, fëmijët e saj të birësuar
Një ngjarje e rëndë ka tronditur qytetin Herdecke në Gjermani, ku kryetarja e sapozgjedhur e bashkisë, Iris Stalzer, është sulmuar me thikë dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën.
Sipas mediave gjermane, 57-vjeçarja, anëtare e Partisë Socialdemokrate (SPD), është gjetur e plagosur rëndë në apartamentin e saj, me plagë të shumta në bark dhe shpinë. Sulmi ndodhi mëngjesin e së martës, pranë shtëpisë së saj, ku në atë moment ndodheshin edhe dy fëmijët e saj të adoptuar, një djalë 15-vjeçar dhe një vajzë 17-vjeçare.
Autoritetet raportojnë se djali adoleshent ka thirrur ndihmën, duke deklaruar fillimisht se nëna e tij ishte sulmuar nga persona të panjohur në rrugë. Megjithatë, policia nuk gjeti prova që mbështesin këtë version. Ai u shoqërua nga hetuesit dhe u vesh me një uniformë të posaçme për të ruajtur gjurmët e mundshme të ADN-së e gishtërinjve, si pjesë e procedurës standarde hetimore.
Ndërkohë, hetimet janë përqendruar edhe në pistën e dhunës në familje. Sipas “Spiegel”, në verën e kaluar vajza 17-vjeçare dyshohet se e kishte sulmuar me thikë nënën e saj në të njëjtin apartament.
Aktualisht, të dy adoleshentët janë nën hetim, por deri tani nuk është bërë asnjë arrestim zyrtar. Policia nuk përjashton që ngjarja të ketë lidhje me konflikte familjare, ndërsa ka mohuar çdo motiv politik në këtë sulm të rëndë që ka tronditur opinionin publik gjerman.