“Po jam nënë, por për mua seksi është prioritet”
Shumë nga pritshmëritë shoqërore, familjare, profesionale janë të vendosura mbi gratë. Gratë duhet të gatuajnë, të pastrojnë, të kujdesen për foshnjat për partnerët, të punojnë, të bëjnë këtë, të bëjnë atë. Ka shumë “duhet” në jetën e një gruaje pasi bëhet nënë, por për një aspekt jetësor duket se nuk flitet sa duhet. Një diskutim i sinqertë rreth marrëdhënieve seksuale pas lindjes së fëmijëve.
Transformimi në “nënë” është një rrugë e vështirë. Ka shumë ndryshime dhe disa prej tyre janë tërësisht rrënjësore. Dhe kënaqësia është diçka nga e cila nuk duhet hequr dorë.
Në fazat e hershme të mëmësisë, kam hequr dorë nga gjëra të caktuara, si për shembull të bërit dush rregullisht, të folurit në telefon, aplikimi i deodorantit, parfumit. Por sa më shumë e kam gjetur rrugën time si nënë, aq më shumë kam qenë në gjendje të vendos prioritete se çfarë dua të bëj me kohën time. Për mua, rikthimi i ndjenjës së intimitetit në jetën time ishte një nga ato gjëra që doja ta bëja prioritet.
Roli im si një nënë ka evoluar gjatë rritjes së fëmijëve të mi dhe kështu ka ndodhur edhe me rolin tim si grua. Kam ushqyer këto krijesa të vogla nga gjinjtë e mi, kam kaluar netë pa gjumë me barkun e rënduar dhe kam menduar shumë për ndërrimin e pelenave.
Përgjegjësitë e mëmësisë janë të frikshme. Foshnjat të konsumojnë të gjithën, sidomos në fillim. Mezi gjeja energji për të ngrënë, ndërsa marrëdhëniet seksuale me bashkëshortin nuk llogariteshin. Isha shumë e lodhur, nga maja e flokëve deri të këmbët e pa trajtuara e thonjtë e palyer.
Në kuptimin e parë të fjalës një fëmijë i vogël e thith energjinë nga trupi juaj. Por pa marrë parasysh rrethanat, unë jam ende një grua. Kam nevoja. Dhe përderisa dua të jem mama shumë e mirë, duhet të jem në harmoni me veten dhe e gëzuar. Dhe kjo do të thotë që më duhet të ndihem e kënaqur në çdo aspekt të jetës sime.
Tani le të jemi të qartë: seksi është i ndryshëm për çdo grua. Ne të gjitha kemi dëshira të ndryshme dhe nevoja të ndryshme. Është krejtësisht normale të pranosh se ka ditë kur e vemtja gjë që dua të bëj është të mbyllem në dhomën e gjumit, të zhvishem e të më zërë gjumi me gotën e verës në një dorë e me një libër në dorën tjetër.
Ka ditë (kaq shumë ditë) që e adhuroj burrin tim dhe them me vete se ai është i përsosur. Mendoj se shtrati është vendi ku kalojmë shumë orë bashkë pas punës, përqafohemi dhe rilidhemi me njëri-tjetrin pas orëve që kemi qenë të ndarë secili në angazhimet e veta.
Ashtu si shumë të tjerë, fëmijët e mi të vegjël ngrihen sapo del dielli. Ata dalin nga shtretërit e tyre dhe kërkojnë banane dhe vezë të fërguara. Ata kanë nevojë për ndihmë për të larë dhëmbët, për t’u krehur, për t’u veshur e për të ngrënë. Janë 3 qenie të vogla që varen tërësisht nga unë, të paaftë për veten e tyre. Dhe ky kujdes është i “lodhshëm”.
Duke qenë gjithë ditën me fëmijët, derisa të vijë momenti që burri kthehet nga puna, lodhja ime ka kaluar në kufijtë e përhumbjes. Jam aq e lodhur saqë ndonjëherë nuk di çfarë kërkoj dhe ia shkarkoj gjithë ngarkesën atij.
Më kujtohet kur një ditë u ktheva dhe krejt papritur i thashë “A ka mundësi të mos më flasësh fare?”. Nuk është diçka me të cilën krenohem, por në atë moment për atë kisha nevojë.
Njohja e nevojave tona është hapi i parë për të rimarrë atë që duam. Jo çdo natë është e suksesshme. Por kjo nuk më ndalon të bëj përpjekje. Nuk më pengon ta dua bashkëshortin më shumë, sepse kam mall për intimitetin dhe lidhjen që më bën të ndihem si një grua.
Unë e lejoj veten të dua gjithçka nga jeta. Dua të jem një nënë e mirë dhe një grua e mirë. Dua një karrierë të suksesshme dhe të kënaqshme. Dhe dua të bëj seks pasi vë fëmijët në gjumë.
Zonja, thjesht dua gjithçka./