Provinca kineze Sichuan heq kufizimet, edhe të pamartuarit mund të kenë fëmijë
Provinca jugperëndimore e Kinës, Sichuan, do të heqë kufizimet për personat e pamartuar që duan të kenë fëmijë, pjesë e një përpjekjeje më të gjerë të qeverisë për të rritur shkallën e lindjeve në vend.
Ndryshimi i politikës erdhi pasi popullsia e Kinës u tkurr vitin e kaluar, për herë të parë në më shumë se gjashtë dekada, duke shënuar një moment historik në thellimin e krizës demografike të saj.
Aktualisht Sichuan lejon vetëm çiftet e martuara të regjistrojnë lindjet deri në dy fëmijë.
Por duke filluar nga 15 shkurti, të gjithë qytetarët, përfshirë edhe prindërit e pamartuar, mund të regjistrojnë fëmijët e tyre.
Komisioni shëndetësor i Sichuan tha në një deklaratë se, politika kishte për qëllim të mbronte të drejtat e nënave beqare dhe jo të inkurajonte të pamartuarit të bëhen prindër.
Në njoftimin e komisionit thuhet se politika do të nxisë zhvillimin afatgjatë dhe të balancuar të popullsisë.