Pse sindromi Down i tremb ende prindërit? Historia e kësaj nëne do t’ju motivojë pamasë

“Kur vajza ime u diagnostikua me sindromin Down, e ardhmja më dukej shumë e frikshme. Më vonë kuptova se ajo që më duhej, ishte koha. Kohë për t’u mësuar me idenë se vajza ime do të kishte nevoja të veçanta, por edhe për ta pranuar zhvillimin e saj të vonuar. Po, nëse ke një fëmijë të tillë, do të duhet ta shohësh si normal faktin që mund të mos ecë përpara moshës 4 vjeçare, apo mund të mos flasë përpara moshës 7 vjeçare.

Arsyeja se pse po e shkruaj këtë artikull, është jo vetëm eksperienca ime personale, por edhe një lajm i rëndë që kam lexuar ditët e fundit mbi një çift Australian. Gruaja pranoi të sillej si një nënë surrogate për një çift që nuk mund të bënin dot fëmijë. Ajo mbeti shtatzënë dhe do të sillte në jetë dy binjakë, njëri nga të cilët u diagnostikua me sindromin Down përmes ekzaminimeve prenatale. Çifti që s’bënte dot fëmijë mori vetëm fëmijën normal, ndërkohë refuzoi të pranonte fëmijën me sindromin Down. Sigurisht që një gjë e tillë më bëri shumë përshtypje, por edhe i justifikoj. Ata sigurisht menduan për gjithë rrugëtimin e vështirë që do të kishin me atë fëmijë, por me siguri kanë harruar se edhe me një fëmijë “normal” jeta është e vështirë.

Edhe unë ndjeva të njëjtën gjë. Shok, mërzitje, dhimbje. Mendoja se lindja e vajzës sime me këtë sindromë, nuk ishte një arsye për të festuar. Ajo lindi në orën 01:43 të natës dhe diagnozën e saj ma thanë 20 minuta më vonë. Shumë miq prisnin t’u shkruaja pas lindjes, pasi i kisha njoftuar se do të lindja atë ditë, por nuk u shkruajta gjatë natës. Nuk fjeta, por në mëngjes, edhe pse ndihesha tmerrësisht keq, u shkruajta një mesazh klishe: “Linda vajzë në orën 01:43, 3 kg e 200 gramë. Unë dhe bashkëshorti po ia kalojmë mirë”. Në ato momente më bësoni se nuk e doja veten time, ndihesha fajtore, edhe pse më vonë e kuptova se nuk kisha asnjë faj. Mirëpo gjithçka ndodhi aq shpesh, saqë nuk e mendoja t’i jepja vetes apo vajzës sime kohë.

Por sigurisht ajo ma “vodhi” zemrën. Nuk kërkoi shumë kohë për të ma ndryshuar komplet botëkuptimin. Mua më duhej kohë për ta njohur, për të njohur veten si prind dhe për të kuptuar se çfarë isha e aftë të bëja. Më vjen keq që prindërit e lajmit që përmenda më sipër, nuk e patën fatin ta kishin një fëmijë të tillë, pasi përpjekjet më të mëdha të një prindi janë më të dukshme tek fëmijët e tillë, duke qenë se edhe progresi i tyre është më i vështirë.

Sot unë e shoh vajzën time të ecë dhe të flasë nga pak (ende ka shumë fjalë për të mësuar), por sërish kjo gjë më duket goxha avancim. E mbaj mend si sot kur kam pritur aq gjatë që ajo të hidhte hapat e parë, të fliste fjalët e para, të shqiptonte fjalën “mama” nga buzët e saj. Kanë ndodhur kaq shumë gjëra të bukura dhe e di se edhe shumë momente të bukura do të ndodhin.

Dua t’i them çdo prindi se nuk ka asgjë për t’u trembur. Duket si diçka anormale në fillim, por më besoni se me kohën do ta pranoni dhe do ta doni fëmijën tuaj pamasë. Do të përkushtoheni dyfish, por edhe do të gëzoheni po aq shumë. Mos u trembni, mos u ndjeni fajtorë. Nuk keni asnjë faj. Jepini vetes kohë dhe do ta pranoni çdo gjë. Koha do t’ju forcojë për ta pranuar realitetin dhe për të punuar fort që ta shihni fëmijën tuaj njësoj si të tjerët”. – Histori e rrëfyer nga Aedin Collins.

Share With:
Translate »
18 Views