Rama me të birin Gregor në Malin e shenjtë të Athos-it, një natë mes murgjve
Kryeministri Edi Rama vizitoi Malin Athos në Greqi, por këtë herë në krah kishte edhe djalin e tij të madh, Gregorin. Në një vend ku prej më shumë se një mijë vjetësh jeta rrjedh mes manastireve, lutjes dhe heshtjes, Rama dhe i biri qëndruan një natë në Manastirin e Vatopedhit, përpara se të largoheshin mëngjesin e së enjtes.

Mali Athos zë një vend të veçantë në botën ortodokse, si një hapësirë e jetës monastike dhe pelegrinazhit që ka ruajtur traditën e saj shekullore. Pikërisht në Vatopedh, një prej manastireve më të vjetra dhe më të rëndësishme të tij, babë e bir u pritën nga atë Efremi dhe vëllazëria e manastirit.

Kryeministri vizitoi ambientet e tij dhe u shpreh i impresionuar nga arkitektura dhe afresket.

Rama kishte mbërritur në portin e Dafnit, ku u takua fillimisht me Guvernatorin Civil të Malit Athos, Alkiviadh Stefanin. Në vizitë i shoqëronte edhe kryebashkiaku i Himarës, Vangjel Tavo.
