Rasti i rëndë, 9-vjeçari në rrezik për jetën nga Covid
Një 9-vjeçar nga Patra e Greqisë, është shtruar në spital me koronavirus që prej ditës së djeshme në Njësinë e Kujdesit Intensiv Pediatrik të Spitalit Universitar. Aktualisht gjendja e tij është e qëndrueshme, raportojnë mediat greke.
Për momentin, beteja që po bëjnë mjekët ka të bëjë me mosintubimin e 9-vjeçarit pasi 24 orët e ardhshme janë vendimtare për ecurinë e shëndetit të tij. Për fat të mirë, nata e parë shkoi mirë dhe nëse shkon dhe nata e dytë ka shumë të ngjarë që të mos hyjë në intubim.
9-vjeçari u shtrua në Klinikën e Pediatrisë me një simptom të lehtë, megjithatë gjendja e tij u përkeqësua shumë shpejt. Pas një testi që u krye, u pa se ishte pozitiv për koronavirusin. Ndërsa pasi iu nënshtrua një grafie, u vu re se kishte pneumoni.
Ajo që po hetohet është nëse fëmija është infektuar nga lloji britanik i mutacionit të koronavirusit me një mostër që tashmë është dërguar në Athinë për test laboratorik.