Rrahman Rraja dorëzon mandatin: Ndihem i turpëruar nga im bir!

Një ndjesë e gjatë ka qenë ajo që shkruhej në letrën e dorëzimit të mandatit të deputetit, me turp, sic e quan Rrahman Rraja, pas ngjarjes në Borizanë, ku familjarë të deputetit dhunuan disa banorë.

Deputeti socialist thotë se ndihet i dështuar dhe i turpëruar si prind pas pamjeve të dhunës të filmuara nga vetë autorët, të gjithë anëtarë të fisit Rraja mes të cilëve dhe i biri i Rrahmanit, e ku viktimë mbeti Bilbil Maja i cili pësoi tre çarje në kokë, dorë të thyer e shumë dëmtime të tjera që se lejojnë të çohet në këmbë.

Ai i bën thirrje djalit të tij, Rexhep Raja të dorëzohet.

Deklarata e deputetit të Partisë Socialiste, Rrahman Rraja:

Nuk kam fjalë për ta shprehur sikletin karshi të gjithë atyre që më kanë besuar gjithë këto vite. Fatkeqësisht unë dështova si prind dhe ndjehem i turpëruar publikisht nga fëmija im. Ju kërkoj ndjesë shokëve dhe kolegëve të grupit parlamentar dhe deklaroj dorëzimin e mandatit të deputetit dhe tërheqjen time nga jeta politike. Ju kërkoj ndjesë atyre që më kanë dhënë votën prej vitit 2000 si kryetar komune dhe prej 2 mandatesh si deputet. Ju kërkoj ndjesë viktimave të asaj dhune turpëruese për familjen time. I bëj thirrje djalit tim të dorëzohet para drejtësisë. Zoti më dhëntë forcë që ta përballoj këtë dhimbje të madhe dhe jetë që ta shlyej këtë turp që më la mbi shpatulla si gur im bir. Në fund mirënjohje dhe ndjesë edhe kryetarit të partisë dhe kryeministrit, i cili nuk më kishte asnjë borxh për këtë shqetësim kaq të madh publik që i shkaktova.

Çfarë ndodhi

Mesditën e 6 korrikut anëtarët e fisit Rraja dhunuan disa qytetarët të Borizanës të cilët i kishin denoncuar për guroret që i përkisnin familjes së deputetit. Organizatorët janë kujdesur ta filmojnë gjithë skenën. Mes dhunuesve janë dhe dy vëllezërit e deputetit socialist, Rrahman Rraja: Flamur dhe Xhelal Rraja, si dhe djali i deputetit, Rexhep Rraja. Shkak është një gurore në fshatin Borizanë, në pronësi të Përparim Rrajës, kushëriri i deputetit, i cili ka leje shfrytëzimi dhe licencë për këtë aktivitet. Kushërinjtë, Bilbil e Jashar Maja ishin ankuar më 5 qershor në media se shpërthimet gjatë punimeve në gurore po u shkatërronin banesat e tyre.

Share With:
Translate »
96 Views