Rrëfimi i të miturës: Si më përdhunoi 17 – vjeçari që njoha në “Facebook”

Fton të miturën në shtëpinë e tij, pasi e njohu në “Facebook”, 17-vjeçari e përdhunon. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mesditën e së shtunës në qytetin e Beratit, ku një vajzë 13-vjeçare është përdhunuar nga i dashuri i saj adoleshent, shkruan “Panorama”.

Sipas policisë, ai është arrestuar. Ngjarja ka ndodhur në banesën e djalit, pasi ai e ka ftuar të miturën për vizitë. Sipas policisë, autori i përdhunimit është shtetasi me inicialet K.A., banues në Berat, i cili është arrestuar në flagrancë pas denoncimit të bërë nga familjarët e vajzës.

17-vjeçari dhe vajza e mitur 13 vjeçe mësohet se kishin krijuar njohje përmes rrjetit social “Facebook”. Pas komunikimeve të shpeshta mes tyre lindi dhe një lidhje dashurie. Djali i kishte premtuar asaj lidhje zyrtare, për të cilën do të viheshin në dijeni dhe dy familjet e tyre.

Si hap të parë për këtë, ai e kishte prezantuar vajzën e mitur edhe me prindërit e tij. Ndërkohë, gjatë ditës së shtunë, 17- vjeçari e kishte ftuar të dashurën e tij për të kaluar disa orë së bashku në banesën e tij.

Duke përfituar nga fakti se në shtëpi nuk ndodheshin prindërit e tij, djali dyshohet se e ka detyruar 13-vjeçaren që të kryejë marrëdhënie seksuale me dhunë. Kaq ka mjaftuar që vajza në gjendje të tronditur psikologjike t’u tregojë gjithçka prindërve të saj, me të mbërritur në banesë.

Pasi ka rrëfyer se është detyruar të kryejë marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj, prindërit bashkë me vajzën i janë drejtuar Komisariatit të Policisë në Berat. Vajza, në deponimin e saj në prani dhe të një psikologeje, ka treguar se kishte shkuar me vullnetin e saj në shtëpinë e të dashurit, pa e menduar se e gjitha do të përfundonte në këtë mënyrë dhe se ajo nuk kishte ditur se çfarë do të ndodhte.

13-vjeçarja është shprehur se me djalin njihej prej kohësh dhe se madje për lidhjen e tyre kishte dijeni dhe familja e tij. Duke qenë se në dijeni të lidhjes ishin familjarë të tij, ajo kishte pranuar pa hezitim ftesën e të dashurit për të kaluar disa orë së bashku në banesën e këtij të fundit.

Sipas të dhënave, e mitura ka sqaruar se i dashuri i kishte premtuar asaj se së shpejti do të fejoheshin. Pas denoncimit, forcat e policisë u vunë në lëvizje duke bërë arrestimin e të akuzuarit për përdhunim.

Ngjarja ka shkaktuar jo pak reagim në opinionin publik, ndërsa pritet që oficerët e policisë të marrin edhe dëshminë e 17-vjeçarit të arrestuar, për të zbardhur akoma edhe më shumë mbi këtë ngjarje tronditëse.

“Më datë 27.08.2017, u arrestua në flagrancë shtetasi K.A, 17 vjeç, banues në Berat, pasi më datë 26.08.2017, në banesë, ka kryer marrëdhënie seksuale pa dëshirën e saj, me një të mitur, 13 vjeçe”, bën të ditur policia. Ndërkohë ndaj 17-vjeçarit K.A. do të rëndojë akuza për “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur”./PANORAMA

Share With:
Translate »
1063 Views