Sa herë dua të eci shpejt me makinë, mendoj për nënën që më pret në shtëpi

Shumica e të rinjve mendoj se kanë qejf të provojnë shpejtësinë në timon, mbase sepse ju shkakton adrenalinë. Unë jo. Nuk jam një shofere e jashtëzakonshme, por një gjë mund të shkruaj pa frikë për veten: jam e kujdesshme.

Sa herë kam ndonjë dëshirë për të ecur shpejt, mbase kur nxitoj, ose kur thjesht dua të shpëtoj nga rrëmuja dhe trafiku i Tiranës, mendoj për nënën time që po më pret në shtëpi. Mendoj me vete sa me pa durim më pret ajo dhe imagjinoj sikur të më ndodhë diçka dhe të mos i shkoj në shtëpi.

Pse duhet t’i shkaktoj nënës time këtë vuajtje? Mendoj edhe për veten sigurisht, sepse më dhimset vetja, por ndonjëherë më shumë se për veten, duhet të mendojmë për njerëzit që na duan dhe që do e ndjenin mungesën tonë, në rast se do të na ndodhte diçka.

Kur jam në timon, mendoj edhe për njerëzit që nuk i njoh dhe si një gabim i imi mund t’i lëndonte pa faj. Si mundet njeriu të jetojë me këtë ndjenjë faji, thjesht dhe vetëm nga një kapriço e momentit për të ecur shpejt. Shpejt për ku? Drejt vdekjes? Nëse e kemi diçka të sigurt në jetë ajo është vdekja, prandaj nuk ka asnjë nxitim për të ecur shpejt drejt saj.

Ta shijojmë jetën ngadalë, sepse koha ikën shumë shpejt. Nëse në një moment të caktuar shkelni gazin dhe mendoni që asgjë e keqe nuk do të ndodhë, mos jini kaq të sigurt. Mjafton një sekond për t’u shkatërruar jeta juaj, por edhe e njerëzve që ju rrethojnë.

Kur jeni në timon keni përgjegjësi të madhe: për veten, pasagjerët, shoferët e tjerë, kalimtarët, por mos harroni që dikush ju do dhe po ju pret në shtëpi.

Share With:
Translate »
370 Views